Mielli me Banderola në Pakon e Dytë Fiskale

Në pakon e dytë fiskale që u aprovua nga qeveria në dhjetor të vitit të kaluar mes masave tjera Ministria e Financave planifikon banderola për paketimet e miellit në Kosovë.

Këtë masë e përmendi ministri i Financave Avdullah Hoti gjatë diskutimeve për pakon e dytë fiskale me Klubin e Prodhuesve Vendorë.

Sipas Hotit banderolat thasëve të miellit nuk do t’u vendosen për ndonjë taksë të re, por vetëm për të kontrolluar tregun joformal të këtij produkti dhe për të siguruar cilësinë e tij.

Në vitin 2014 Shqipëria nuk lejoi hyrjen e miellit nga Kosova, me arsyetimin se ai është jocilësor, ndërsa për cilësinë e dyshimtë të miellit u diskutua edhe në Komisionin  për Bujqësi  të Kuvendit të Kosovës në vitin 2015.

Mielli i Kosovës Pret Semaforin e Gjelbër të Shqipërisë

http://kallxo.com/deputetet-te-shqetesuar-per-dyshimet-rreth-cilesise-se-miellit/

Me pakon e dytë fiskale pas asaj që hyri në fuqi në vitin 2015, parashikohet zgjerimi i listës së lëndëve të para që lirohen nga tatimi doganor, ndryshimi- plotësimi i listës së produkteve me normë 0 e 8 për qind të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, heqja e akcizës për mazut përdoret për prodhim dhe pushimet tatimore.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave Avdullah Hoti tha se pakoja e dytë fiskale është hartuar në bashkëpunim me të gjithë të interesuarit.

“Pjesën e parë të pakos fiskale e kemi zhvilluar në masë të madhe bashkë, atë që ka filluar në shtator të vitit 2015 dhe me tri ligje bazike tash na mundësojnë që të hyjmë me një pako të re fiskale të cilën prapë e kemi zhvilluar në bisedë me odat ekonomike, shoqatat. Kemi ardhë te një listë preliminare e masave të cilat i ka aprovuar qeveria në parim dhe ka kërkuar Kryeministri që ne bashkë me Ministrinë e Tregtisë, me ATK-në, Doganën dhe tjerët të zhvillojmë një debat, në veçanti me prodhuesit vendorë” tha ministri Hoti.

Ministri bëri të ditur se lista e mallrave së cilës do t’i përshkallëzohet TVSH-ja, ose do t’i hiqet fare është ambicioze. Ai përmendi ulje të TVSH-së për mishin e lopës, pulës, qengjit, lëndë të para që përpunohen në ushqim, por edhe produkte të fushave të kulturës e sportit.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për mish deri tash ishte 18 për qind.

Sipas ministrit, pushime tatimore do të aplikohen në sektorët e bizneseve në të cilat Kosova ka përparësi në raport me vendet tjera, varësisht nga investimet dhe numri i ofruar i vendeve të punës.

Në takim kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës  Astrit Shabani kërkoi nga ministri që të punohet më shumë për favorizimin e prodhuesve kosovarë.

“Ne, siç e dini, deri këtu kemi  ardhë falë angazhimeve tona, falë ndryshimeve që ju i keni ba si qeveri para një viti kanë dhënë efekt, po shpresojmë dhe besojmë që brenda gjithë kësaj ka akoma hapësirë që të përmirësohet sepse ne po e vërejmë në teren ku jemi për çdo ditë në konkurrencë, e vërejmë që ka vend akoma ka mundësi që t’i kushtohet ma shumë kujdes prodhuesit vendor,” tha Shabani.

Prodhuesit kërkuan mes tjerash ndryshim të udhëzimit administrativ për shfrytëzimin e ujërave, pagesë retroaktive të akcizës në lëngje dhe largimin të TVSH-së për prodhuesit e lëndës së parë në Kosovë.

Zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi u premtoi mbështetje prodhuesve vendorë.

“Jemi për me ju mbështet maksimalisht, me të gjitha metodat me të gjitha mjetet, në çfarëdo forme, që ju me ec përpara, dhe me zhvillu procesin të zhvillimit ekonomik të Kosovës,” tha Kelmendi.

Por ai kërkoi edhe bashkëpunim nga bizneset për respektim të ligjeve dhe luftë informalitetit.

“Por gjithnjë kërkojmë edhe nga ju që kjo të jetë njëfarë pakti i përbashkët që të na ndihmoni në respektimin e ligjeve ekzistuese, heqjen e informalitetit nga të gjithë anëtarët që ju keni , paraqitjen e punëtorëve, paraqitjen e frakturave legale, ndihmën në transaksione dhe në marrjen e kuponëve fiskal, në mënyrë që buxheti i Republikës së Kosovës, që është mbi 2 miliardë euro që praktikisht është një buxhet i jashtëzakonshëm, dhe nuk kemi dëshirë që ky buxhet të atakohet,” tha Kelmendi.

Heqja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për lëndën e parë që përdoret në prodhim gjatë takimit të zyrtarëve kosovarë me biznesmenët u tha se ka ndikim në buxhet prej 7 milionë eurove.

KALLXO.com kur pakoja e re fiskale hyri në fuqi, kishte shkruar që ajo nuk po i jep rezultatet e synuara.

Pakoja Fiskale Dështoi të Ulë Çmimet për Qytetarët