Parakalimi i FSK-së, Foto: Denis Sllovinja

MFSK: Transformimi i FSK-së, nuk varet nga largimi i individëve

Numri i pjesëtarëve të komunitetit serb në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), që kanë parashtruar kërkesa për largim nga kjo Forcë, deri më tash ka shkuar në 40.

Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com, Ibrahim Shala nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Ministrisë së Forcës dhe Sigurisë së Kosovës.

MFSK thekson se inkuadrimi në FSK është vullnetar  dhe është marrëdhënie kontraktuale mes palëve.

“Prandaj është e drejtë e çdokujt që bazuar në rregullore dhe ligjet për shërbim në FSK të bëjë kërkesë për largim”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë përmes postës elektronike.

Javët e fundit, dhjetëra pjesëtarë serbë kanë kërkuar të largohen nga FSK për shkak të presionit nga ana e Beogradit.

Për këto veprime, kanë reaguar edhe zyrtarë shtetërorë të Kosovës. Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, e kanë quajtur të pakuptimtë dhe të padrejtë presionin ndaj serbëve në Kosovë.

Largimet e serbëve nga FSK-ja i ka dënuar edhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë Greg Delawie.

“Frikësimi nga jashtë i pjesëtarëve të FSK-së është i papranueshëm. Diversiteti i FSK-së është një model për vendin. Ai duhet të festohet, e jo të shkatërrohet”, ishte shprehur Delawie në Twitter.

Megjithkëtë, Ministria e FSK-së vlerëson se transformimi i kësaj Force në Ushtri të Kosovës, nuk varet nga largimi i individëve.

“Transformimi i FSK-së në ushtri është një proces që varet nga institucionet  shtetërore dhe Kuvendi i Kosovës. Procesi i transformimit nuk varet nga individët që hyjnë ose ndalin vullnetarisht nga FSK. Po ashtu transformimi nuk është kompetencë e ndonjë shtetit fqinj. Procesi i transformimit është kompetencë e brendshme shtetit të Kosovës dhe do të vazhdojë të avancohet në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me partnerët tanë strategjik”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për KALLXO.com.

10 për qind e pjesëtarëve të FSK-së, i përkasin komuniteteve jo shumicë në vend.