Mevlude Saraqi demanton Flora Brovinën: Nuk ia dhash fotografinë

Ish- Deputetja e LDK-së, Mevlyde Saraqi ka thënë se ajo nuk ia ka dhënë asnjë fotografi që e ka prezantuar deputetja e PDK-së, Flora Brovina, gjatë ditës së djeshme kur pretendonte se ato paraqesin gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë.

Në një deklarim për KALLXO.com, Saraqi tha se nuk e di se ku i ka marrë ato informata Brovina dhe, sipas saj, është trup nëse të tilla nuk i ka publikuar më herët.

“Unë nuk i kam dhënë kurrgjë zonjës Brovina, nuk është e vërtetë. Unë nuk e di ku i ka marrë ato informacione. Ne kemi qenë deputete, puna jonë ka qenë publike nuk kemi punuar punë të fshehta. Turp nëse e ka pas atë dëshmi dhe e ka fshehur. Këto akuza nuk qëndrojnë, së shpejti do ta bëj një konferencë për shtyp”, tha ajo për KALLXO.com.

Ndryshe, deputetja Brovina sot gjatë një konference për media në oborrin e Kuvendit të Kosovës e ka përmendur emrin e ish- deputetes së LDK-së.

“Mevlyde Saraqi, ka qenë bashkëpunëtore e imja dhe nënkryetare e komisionit. Ajo ma ka pru zarfin dhe më ka thënë që kjo grua është 35 vjeçare”, deklaroi ajo.

Deputetja Flora Brovina ka folur sot pas intervistimit në Prokurorinë Speciale rreth fotograisë e cila shkaktoi një varg reagimesh në Kosovë.

Ajo e pranoi se fotografia nuk është autentike.

“Edhe një herë ju kërkoj falje të gjithë atyre dhe qëndroj edhe për fajësinë time që nuk e kam verifikuar në momentin e fundit edhe një herë”, tha Brovina.

Rreth fotografisë që e ka shfaqur dje në hollin e Kuvendit të Kosovës, Brovina ka thënë se atë e ka pranuar nga një aktivist qysh prej vitit 2003 dhe e ka mbajtur së bashku me shumë dosje të tjera.

Tutje Brovina ka thënë se nuk ka menduar se dikush do t’i jepte një fotografi të tillë të rreme për një çështje kaq të ndjeshme.

“Kurrë s’kam menduar që dikush mund të më sjell fotografi te cilat nuk janë të verifikuara dhe te sakta. Nuk kam menduar qe kjo fotografi nuk donte jete e sakte. Saktësinë e kësaj fotografie do ta zhvillojnë autoritetet e shtetit.  Këtë dokument e ruaj në mesin e shume dokumenteve të tjera që nga viti 2003. Tash pas shumë kohësh të dalë ky dokument që nuk është i vërtetë… më është thënë që kjo fotografi është bërë në zonën e Dukagjinit. Më ka dhënë një aktivist këtë fotografi emrin nuk e di e kam harruar”, ka deklaruar ajo.