Ardiana Thaci Mehmeti, anetare e bordit te AGK-se

Metodat më të shpeshta të kërcënimit të gazetarëve

Gazetarja dhe anëtarja e bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Ardiana Thaçi Mehmeti ka treguar për Drejtësia në Kosovë se cilat janë tri format më të shpeshta të kërcënimit të gazetarëve.

Sipas saj, kërcënimet zakonisht fillojnë me shantazhet e pastaj kalojnë në fazat e tjera.

“I shoh tri forma të atyre përpjekjeve të palës tjetër që t’i ndalojnë shkrimet. E para është që tentojnë përmes formës së shantazhit, duke e paraqitur të fortin, se ti nuk guxon ta shkruash atë, se unë e di këtë apo atë. Kur e shohin që kjo formë nuk po ndikon, atëherë është forma e kërcënimit të drejtpërdrejtë apo ballafaqimit, siç është rasti i rrahjes dhe është rasti kur tentojnë të të blejnë përmes parave”, tha Thaçi Mehmeti për Drejtësia në Kosovë.

Ajo gjithashtu ka treguar edhe një rast, ku subjektet e hulumtimit të saj kanë tentuar ta blejnë, që shkrimet të mos publikohen.

“Kam qenë duke hulumtuar me një temë të caktuar me lidhjet familjare të një politikani të madh në Kosovë me një ndërmarrje publike dhe menjëherë më kanë ardhur ofertat për të hapur biznese, për të më mbështetur me ndonjë OJQ, vetëm që të mos i publikoja shkrimet. Pavarësisht që unë insistoja se nuk dua asgjë dhe se krejt çka dua është përgjigje nga ju, ata insistonin. Mirëpo shkrimi doli, ata vazhduan rrugën e tyre unë timen”, tha gazetarja Ardiana Thaçi Mehmeti.

Drejtësia në Kosovë këtë të premte ka transmetuar emisionin për Sigurinë e Gazetarëve.

Në këtë emision kanë folur gazetarët, shoqatat e gazetarëve, Prokuroria e Gjykatat.