Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, Foto: EPA/Malton Dibra

Meta thotë se është i gatshëm të vetësakrifikohet për të shmangur ‘juntën’ në Shqipëri

Në një deklaratë të pazakontë nga Pogradeci, presidenti Ilir Meta tha se vendi gjendet në një krizë kushtetuese si dhe shpalli se ai është i gatshëm të japë dorëheqjen ose të sakrifikojë jetën për të ndaluar atë që e cilësoi si vendosjen e një junte në Shqipëri.

 

Për presidentin Ilir Meta, Shqipëria gjendet aktualisht në një krizë të thellë kushtetuese si dhe e rrezikuar nga ajo që Meta e cilësoi “juntë” ndërsa u shpreh i gatshëm që në ndihmë të zgjidhjes së krizës, të japë dorëheqjen si president, ose, në funksion të parandalimit të instalimit të “juntës”, të vetësakrifikohet “si Salvador Alende”.

Alende, presidenti marksist i Kilit në vitet 1970-73, humbi jetën kur ushtria e Kilit ndërmori një grusht shteti duke e rrëzuar nga pushteti. Orët e fundit të presidentit mbetën të paqarta për dekada, deri në vitin 2011, kur një autopsi doli në konkluzionin se ai kishte vrarë veten me një automatik pasi refuzoi të dorëhiqet përballë juntës ushtarake.

“Kemi një krizë, që në vlerësimin tim është e qëllimshme, dhe e cila ka rrezikuar rendin kushtetues në Republikën e Shqipërisë,” deklaroi Meta duke iu referuar paralizimit të Gjykatës Kushtetuese nga procesi i vetingut dhe sakatimit të sistemit gjyqësor në përgjithësi nga procesi që ka rrëzuar deri më sot pjesën më të madhe të gjyqtarëve të lartë si dhe shumicën dërrmuese të kryetarëve të gjykatave e të prokurorive.

Komentet e Metës vijnë në një kohë kur dy partitë kryesore të opozitës, PD dhe LSI, (kjo e fundit drejtohet nga bashkëshortja e presidentit, Monika Kryemadhi), u tërhoqën nga parlamenti përmes dorëheqjes në masë të deputetëve të vet. Por dorëheqja e opozitarëve ka mundësuar zëvendësimin e disa prej tyre me kandidatë të tjerë nga PD dhe LSI, gjë që i ka krijuar kushtet maxhorancës qeverisëse të arrijë kompromise politike me atë që po quhet “opozita e re”, e cila, ndonëse përfaqëson PD dhe LSI, është akuzuar nga këto të fundit si tradhtare.

Kryeministri Edi Rama nuk e ka fshehur dëshirën që të arrijë kompromis me deputetët zëvendësues për të ndërmarrë një reformë zgjedhore, pasi deputetët e rinj dhe ata socialistë mjaftojnë për të arritur shumicën e cilësuar prej 84 deputetësh që nevojitet për ndryshimin e ligjeve kyçe të shtetit.

Meta u ankua në komentin e tij edhe për përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë, duke argumentuar se sipas opinionit të tij, deputetët socialistë si dhe ata demokratë e të LSI që nuk dhanë dorëheqjen janë përfaqësuesit legjitimë të vendit dhe të gjithë bashkë arrijnë numrin 82, dy deputetë më pak se sa shumica e cilësuar.

“Në vlerësimin dhe në bindjen time institucionale Kuvendi i Shqipërisë ka 82 deputetë të ligjshëm, përfshirë edhe 3 deputetët e opozitës, të cilët nuk pranuan të djegin mandatet sipas vendimit politik të partive përkatëse”.

“Çdo numër tjetër përtej këtij, jo vetëm që thellon këtë krizë, por sigurisht që nuk ndihmon as kapërcimin e kësaj situate, pasi çdo numër tjetër është i kontestueshëm në të gjitha planet,” deklaroi Meta.

Meta u zgjodh president në vitin 2017 me votat e partisë së tij dhe partisë socialiste, por LSI ra në opozitë pak ditë para se ai të betohej si president.

Meta është vetëofruar për të ndërmjetësuar në zgjidhjen krizës, por mazhoranca qeverisëse thotë se parlamenti është tërësisht funksional.