Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, Foto: EPA/Malton Dibra

Meta: S’ka zgjedhje më 30 qershor, të gjithë të zbatojnë dekretin

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta në një intervistë ekskluzive për Al Jazeera-n ka folur për situatën politike në vend dhe vendimin e tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

“Dua t’i siguroj të gjithë se dekreti im për shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zhvillimin e zgjedhjeve vendore është një vendim kushtetues shumë solid, i bazuar mbi përgjegjësitë e mia kushtetuese si President i Republikës. Dhe ajo që ka bërë presidenti ekzaktësisht është që të tregojë përkushtimin e tij për të mbrojtur pluralizmin politik në vend, si edhe të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme për të gjithë qytetarët e Shqipërisë, sepse Shqipëria ka pasur për 45 vjet votime gjatë regjimit komunist, por të gjithë e dinë se ka një ndryshim të madh mes zgjedhjeve dhe votimeve”, tha Meta.

I pyetur nëse shqiptarët janë gati për në BE, Meta tha: “Më shumë se 95% e shqiptarëve mezi presin që vendi të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, dhe me vendimin tim kam dashur t’u jap kohë këtyre udhëheqësve që të reflektojnë, të qetësohen dhe të krijojnë kushtet për një dialog të arsyeshëm, që të tregojnë pjekuri, para së gjithash kundrejt qytetarëve tanë, por edhe ndaj BE-së, të provojnë se ky vend është gati të bëjë një hap tjetër përpara”.

Por a do ta njihte Meta rezultatin e zgjedhjeve vendore nëse do të mbahen?

“Nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor. Ky dekret është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare dhe të gjithë kanë detyrimin ta zbatojnë atë”, tha Meta.

Ndërsa i pyetur nëse Rama gëzon besimin dhe mbështetjen e tij si kreu i qeverisë së këtij vendi ai u shpreh: “Kjo është një pyetje të cilës i jam përgjigjur më parë, kur e kam dekretuar si Kryeministër i Shqipërisë. Prisja që ai me kalimin e kohës në atë detyrë të ishte me fleksibël dhe bashkëpunues me opozitën, sepse para së gjithash, sfidat me të cilat përballet vendi mund të adresohen me sukses vetëm duke u bazuar në bashkëpunim më të gjerë.

Dhe pres që ai ta lërë pas këtë retorikë përçarëse që e përdor aq shumë dhe që nuk po ndihmon mundësinë e një konsensus më të gjerë, por edhe politikat më gjithëpërfshirëse që vendi të jetë më i bashkuar”./21Media