Presidenti Ilir Meta

Meta: Përherë mirënjohës ShBA-së dhe NATO-s

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka kujtuar fillimin e sulmit të forcave ajrore të NATO-s kundër forcave serbe.

“Sot mbushen 20 vjet nga dita kur NATO vendosi të ndërhyjë për të imponuar paqen duke i dhënë fund gjenocidit e spastrimit etnik dhe paraprirë Pavarësisë së Kosovës, e cila forcoi paqen e stabilitetin në rajonin tonë”, ka shkruar Meta në Facebook.

Ai ka thënë se i është përherë mirënjohës ShBA-së dhe NATO-s, për këtë kontribut të jashtëzakonshëm.

“Tashmë 10-vite anëtare në NATO, Shqipëria mbetet e angazhuar maksimalisht në mbrojtjen e vlerave të lirisë, paqes e sigurisë në rajonin tonë dhe kudo në botë”, ka thënë Meta.

Sulmet ajrore të NATO-s mbi forcat serbe kanë filluar më 24 mars 1999, në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan raketat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.

Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviq, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë Presidenti Clinton.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviq dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës.

Kjo është ndërhyrja e parë ushtarake e NATO-s që nga formimi i saj, e cila njihet edhe si ndërhyrja historike.