Meta pas dorëheqjes së Haradinajt: Nga sot të gjithë duhet të flemë më pak

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, thotë se ndjehet krenar për vendimin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj për dorëheqje nga kjo pozitë, duke shtuar se beson në pafajësinë e tij.

Ai shkroi në Facebook se ‘nuk ka pabesi dhe presion që e thyen Burrin e Shtetit dhe Heroin e Kombit’.

“Nga sot të gjithë duhet të flemë më pak, të shqetësohemi më shumë dhe të bashkohemi më fort që Kosova dhe rajoni ynë të jenë të pacenuar në paqen dhe sigurinë tonë, si dhe në të ardhmen europiane”, ka shkruar presidenti i Shqipërisë.

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryeministrit pasi ka marrë ftesë nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Haradinaj dha dorëheqje në mbledhjen e Qeverisë duke thënë se në Gjykatën Speciale nuk mund të shkojë si kryetar i Qeverisë së Kosovës.

Historiku i Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme, e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.

https://kallxo.com/haradinaj-per-ftesen-e-speciales-do-tu-pergjigjem-shpifesve/

https://kallxo.com/opsionet-kushtetuese-te-hashim-thacit-pas-renies-se-qeverise/