Meta: Do ta vendosim në Kushtetutë testin e shëndetit mendor për çdo politikan

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta në një konferencë për media të mbajtur sot ka deklaruar se ai është i gatshëm të bëjë testin e shëndetit mendor dhe të drogës.

Ai këto komente i bëri, pasi që gazetarët kishin qeshur gjatë konferencës me një deklaratë të tij.

“Jam i gatshëm, në çdo moment të bëjë testin e shëndetit mendor dhe pas kësaj krize duhet të vendosim urgjentisht në Kushtetutën e Shqipërisë testin e shëndetit mendor, për çdo politikan, për presidentin, kryeministrin, kryetarin e parlamentit, ministrat, drejtuesit e institucioneve shëndetësore. Dhe po kështu, jam i gatshëm të bëjë edhe testin e drogës”, tha Meta para gazetarëve.

Para kësaj, ai kishte bërë një krahasim mes tij dhe ish kryeministrit të Maqedonisë, Nicola Gruevski, i cili është arrestuar së fundi nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.

Presidenti Meta i “dërgoi” selame Sorosit, duke thënë se ai nuk është i racës së Gruevskit por i racës së Avni Rrustemit e Mic Sokolit.

Kjo deklaratë solli momente qesharake tek të pranishmit.

“Unë do t’i them z. Soros, i uroj jetë të gjatë, i uroj suksese sepse vjen shpesh në Shqipëri, jam i gatshëm të ia them edhe në sy, se shkon edhe në Kosovë edhe në Serbi. Le t’i gëzoj miliardat e tij. Shqipëria me të vërtetë është një vend i vogël për përmasat e tij, ai të investoj në tregje të mëdha sepse Ilir Meta nuk është i racës së Gruevskit, është president i Shqipërisë dhe do t’i dal zot Shqipërisë. Është I racës së politikanëve të tipit Avni Rrustemi edhe ca shqiptarëve të tjerë si Mic Sokoli, Voj Okushi e të tjerë”, tha Meta para gazetarëve.

Zgjedhjet lokale të së dielës së kaluar në Shqipëri, ku dy partitë e mëdha opozitare PD e LSI refuzuan të merrnin pjesë, Meta i ka quajtur “votime socialiste”.