Kryeministri Ramush Haradinaj dhe presidenti shqiptar, Ilir Meta - Foto: ZKM
Meta: Demarkacioni, Çelës i Suksesit të Kosovës në Rrugën Integruese
Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta tha se shteti shqiptar do të vazhdojë me ndihmën e pakursyer dhe të gjithanshme për Kosovën, sidomos në agjendën euroatlantike.
Gjatë një takimi që zhvilloi me kryeministrin Ramush Haradinaj në Prishtinë, presidenti shqiptar theksoi se gjetja e një zgjidhjeje për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi si dhe dialogu me Serbinë janë çelës i suksesit të Kosovës në rrugën e saj integruese në BE.
Gjatë këtij takimi, sipas një komunikate të Zyrës së Kryeministrit, Haradinaj e Meta marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë i kanë quajtur “shembull për rajonin”.
Kryeministri Haradinaj tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të shkëmbejnë përvojat e tyre në proceset integruese dhe në këtë kontekst është e pazëvendësueshme ndihma e Shqipërisë për konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtare.
Gjatë një takimi me presidentin Hashim Thaçi, presidenti shqiptar theksoi se politika kosovare duhet të nisë një dialog edhe më aktiv me BE-në, por edhe me Malin e Zi, për të zhbllokuar çështjen e liberalizimit të vizave dhe rrugën integruese të Kosovës.
Ai tha se nënshtetësia shqiptare, siç kërkoi presidenti Thaçi për qytetarët e Kosovës, nuk është zgjidhja.