Agim Zatriqi - Foto: RTKlive

Mësimet nga Agim Zatriqi

Agim Zatriqi u kujtua sot në Prishtinë një ditë pas vdekjes në një akademi përkujtimore që mblodhi familjarë dhe njerëz që e njohën.

Drejtori aktual i RTK-së Mentor Shala tha se ka mësuar nga drejtimi që para trij Zatriqi i bëri RTK-së.

“Kam mësuar shumë nga menaxhimi i tij dhe më ka ndihmuar shumë përvoja me të dhe menaxhimin e RTK-së. Duke qenë pjesë e RTK-së që nga viti 2000 e them me përgjegjësi të plotë se Agim Zatriqi kontribuoi në fillimin e një rruge të mbarë të RTK-së, nga dy orë program sa kishte në RTK, kur Agimi erdhi në RTK e bëri në 24 orë,” tha Shala.

Filozofi Astrit Salihu tha se Agim Zatriqi e dinte si frymonte një medium.

“Kemi humbur njërin nga njerëzit më të rëndësishëm të jetës sonë mediale. Një njeri i cili e dinte se si frymon mediumi, çka është medium dhe cila është perspektiva e mediumit,” tha Salihu.

Baton Haxhiu në mbledhjen komemorative kujtoi humorin me të cilin shquhej ish-drejtori i mediumit publik.

“Kemi të bëjmë me njeriun që humorin e ka pasur pasion dhe e ka bërë më mirë se të gjithë humoristët. Ka qenë njeriu që e ka njohur storien në televizion ma mirë se çdo gazetar. Agimi ka qenë rrëfimtar më i mirë sesa secili shkrimtar,” tha Haxhiu.

Astrit Zatriqi, djali i Agim Zatriqit, në akademinë e organizuar nga RTK-ja tha se vlera e babait të tij do të vazhdojë të rritet.

“Në këto lloj rastesh njeriu e sheh që edhe në momentet më sfiduese kur e humb më të dashurin e tij, i rrethuar me miq e kupton që e kemi pasur një njeri vlerën e të cilit me kalimin e kohës mendoj që do t’ia shohim edhe më shumë,” tha Astrit Zatriqi.

Agim Zatriqi vdiq mbrëmë në moshën 66 vjeçare. Ai drejtoi RTK-në gjatë viteve 2001-2009, ndërsa konsiderohet njëri ndër ekspertët më të shquar të medieve kosovare.