Foto: Rtv21

Mesazhi i ZRRE-së për KESCO: Ndalni Reduktimet e Rrymës

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ia ka tërhequr vërejtjen KESCO-s që t’i ndalë reduktimet e energjisë elektrike.

Këtë vërejtje ZRRE-ja ia ka bërë KESCO-s në bazë të autoritetit të saj ligjor dhe pas një monitorimi që ua ka bërë sjelljeve të operatorëve të sistemit të energjisë elektrike në vend.

“Sipas informatave të ditëve të fundit, të pranuara nëpërmjet ankesave nga konsumatorët, raportimeve të mediave të shkruara dhe elektronike, është vërejtur se Operatori i Furnizimit me Energji (KESCO) është duke aplikuar reduktime të energjisë elektrike në lokalitete të ndryshme në vend”, thuhet në komunikatën e ZRRE-së.

ZRRE-ja ka kërkuar nga të licencuarit që të angazhohen maksimalisht për mbarëvajtjen e operimit të sistemit dhe furnizim të rregullt me energji elektrike.

“ZRRE-ja ka reaguar menjëherë, duke dërguar shkresë zyrtare tek KESCO përmes të cilës ka kërkuar nga ajo furnizim të rregullt me energji elektrike dhe ndërprerje të menjëhershme të reduktimeve, përveç në rastet kur rrezikohet siguria e sistemit”, thuhet në komunikatën e ZRRE-së.