Presidenti amerikan, Donald Trump - Foto: REL/Reuters

Mesazhi i 'zakonshëm' i presidentit Trump në letrat e dërguara Thaçit e Vuçiqit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, u ka dërguar letër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për t’i uruar për festat e shtetësisë së tyre.

Në letrën dërguar presidentit Thaçi, përveç urimit, presidenti amerikan Trump ka përmendur edhe domosdoshmërinë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Më e rëndësishmja, Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet, që është esenciale për integrimin perëndimor të Kosovës. Ne e shohim njohjen e dyanshme si themel të marrëdhënieve të normalizuara dhe si bazë për çfarëdo zgjidhje gjithëpërfshirëse”, thuhet në letrën e dërguar nga Trump.

 

https://kallxo.com/trump-uron-kosoven-per-11-vjetorin-e-pavaresise/

 

Politologu Ramush Tahiri ka thënë për KALLXO.com se letra e presidentit Trump është parimore, sepse, siç deklaron ai, ‘për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njohja e Kosovës është proces i pakthyeshëm dhe i përfunduar’.

Tahiri gjithashtu theksoi se shtetet e mëdha, si ShBA-ja, udhëheqin politikë parimore dhe e respektojnë qëndrimin e tyre në marrëdhënie me të gjitha palët.

“Nuk është kërkesë eksplicite për njohje të Kosovës por e përfundon procesin me njohje si në fillim e deri tash. Të gjitha vendet e përkrahin procesin e bisedimeve, thonë që ne nuk ndërhyjmë në proces të bisedimeve, kjo është në parim. Mirëpo, gjithashtu thonë që palët ta respektojnë njëra-tjetrën dhe kjo marrëveshje të përfundojë me njohje reciproke”, ka thënë Tahiri.

Në anën tjetër, në letrën që presidenti Trump i ka dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, thuhet se Shtetet e Bashkuara përkrahin angazhimin e Serbisë në thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe në veçanti ndaj përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

“Ne besojmë që njohja e ndërsjellë duhet të jetë elementi qendror i një normalizimi të qëndrueshëm të marrëdhënieve. Një marrëveshje e tillë historike, me njohjen e ndërsjellë në thelbin e saj, do të ndërtonte rrugën që ka si qëllim integrimin europian të Serbisë dhe rritjen ekonomike”, thuhet në letrën e presidentit Trump.

 

https://kallxo.com/trump-i-shkruan-leter-te-re-vuciqit-i-kerkon-ta-njohe-kosoven/

 

Për politologun RamushTahiri, edhe letra që i është dërguar presidentit të Serbisë është e zakonshme, dhe siç thekson ai, nuk duhet të krijohet eufori ndaj saj duke thënë se ‘Trump i ka kërkuar për herë të parë Vuçiqit ta njohë Kosovën’.

Ai tha për KALLXO.com se kjo është politikë tradicionale dhe e përhershme e ShBA-së, e cila nuk dallon prej asnjë administrate.

“Askush nga diplomacia ndërkombëtare nuk sheh proces të dialogut i cili nuk përfundon me njohje. Këto janë letra kurtuazi, të zakonshme që presidentët u dërgojnë shteteve në festën e tyre nacionale. Serbia e ka me datën 15 (shkurt) e ka Sretenjen, kur është shpallë Kushtetuta e Serbisë para më shumë se 100 viteve. Ndërsa Kosova e ka 17 Shkurtin”, sqaron më tej politologu.

Tahiri tutje sqaroi se afërsia e periudhës kohore në të cilën këta dy presidentë kanë pranuar këto letra, nuk ka të bëjë ekskluzivisht me kërkesën për njohjen reciproke mes të dyja vendeve.

Ai thekson se përmbajtja e këtyre dy letrave tregon se presidenti amerikan Donald Trump, Kosovës edhe Serbisë ju dëshiron sukses dhe i përkrah për politikën e deritashme, ndërsa meqenëse janë vende fqinje iu dëshiron normalizim të marrëdhënieve.