Kryeministri Ramush Haradinaj - Foto: Facebook

Mesazhi i Haradinajt për Hashim Thaçin: Kushdo që e cenon Kosovën e 17 Shkurtit është armik i kombit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mbajtur një takim me familjarët e dëshmorëve të komunës së Deçanit, ku ndër të tjera ka folur edhe për kufijtë e Kosovës.

Ai ka thënë se çdo shqiptar që e cenon Kosovën e 17 Shkurtit është armik i kombit tonë dhe i Kosovës.

“Çdo shqiptar dhe kushdo që jeton në Kosovë e ka obligim për të mbrojtur këtë Kosovë, Kosovën e 17 Shkurtit, e cila është e rregulluar me Kushtetutë. Duke qenë kështu, çdo qytetar i thjeshtë, qoftë i papunë, çdo mësues, polic, ushtar, kryetar komune, deputet, kryetar qeverie apo edhe president me Kushtetutë je i obliguar me e mbrojtë Kosovën e 17 Shkurtit. Kushdo tjetër që e cenon Kosovën e 17 Shkurtit, qoftë djalë i dëshmorit, a është luftëtar i dalluar, a është udhëheqës i sotshëm, është armik i kombit tonë dhe i Kosovës”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj.

Haradinaj u tregua i ashpër duke thënë se çështja e hapjes së kufirit të Kosovës i shkon për shtati vetëm presidentit rus dhe kushdo që bie në agjendën e tij, është në agjendë të rusit.

“Çështja e hapjes së kufirit të Kosovës i shkon për shtati vetëm Vladimir Putinit dhe kushdo prej neve që bie në agjendë të tij, është në agjendë të rusit. Në dy tema nuk jam me askënd, a ke i Kosovës a i Tiranës, që e prekin këtë Kosovë të 17 Shkurtit. E kam rrugën e ndarë me ta. Nuk e qes asnjë hap me ta. Edhe po ashtu ata që bëjnë nderskamca me e bind Kosovën ta heqë taksën, nuk jam me ta. Taksa do të hiqet vetëm kur Serbia është e gatshme ta njohë Kosovën”, ka thënë ndër të tjera Haradinaj gjatë fjalimit të tij.

Sipas tij, Kosova e sotme është edhe e shqiptarëve të Preshevës, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë dhe gjithë të tjerëve kudo që gjenden.

11 Shkurt 2019 - 17:41

Egzon Dahsyla 11/02/2019 - 17:41
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend