Ramush Haradinaj - Kryeministër në dorëheqje

Mesazhi i dorëheqjes së Haradinajt – Jo në Hagë si kryeministër! - VIDEO

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se e çmon pafajësinë e tij, pasi njoftoi pasditen e sotme se është ftuar nga Gjykata Speciale për intervistim në cilësinë e të dyshuarit.

“Unë kam qenë dy herë në gjykata ndërkombëtare. Pafajësinë time e çmoj, e respektoj nderin tim personal. Do t’i përgjigjem këtyre shpifësve, nderin e luftëtarit shqiptar. Ata që s’besojnë që luftëtari shqiptar e ka nderin, ju siguroj që e ka, do ta ketë gjithë”, tha Haradinaj në selinë e partisë së tij AAK-së.

Haradinaj ka njoftuar për dorëheqjen e tij pas mbledhjes së sotme të Qeverisë, duke bërë të ditur se është ftuar nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale për intervistim.

Ai ka kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pas dorëheqjes së tij.

Ramush Haradinaj – Kryeministër në dorëheqje

Historiku i Gjykatës Speciale:

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.