Merret vendimi për shënjimin e trashëgimisë kulturore dhe turizmit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka nënshkruar të hënë – me 11 shkurt 2019 Udhëzimin Administrativ (MKRS) nr. 01/2019 për specifikat e shënjimit të trashëgimisë kulturore dhe vendeve turistike. Ky akt nënligjor ka për qëllim të përcaktojë llojet, kuptimin, formën, ngjyrën, dizajnin, madhësinë dhe fontin e shkronjave, dimensionet, materialin dhe karakteristikat teknike të shënjimit si dhe udhëzimet për standardet për vendosjen dhe instalimin e shenjave të trashëgimisë kulturore dhe atyre turistike në të gjitha kategoritë e rrugëve në Republikën e Kosovës.

Përmes një njoftimi për media MKRS bënë të ditur se këto shenja njoftuese/informuese, në bazë të udhëzimit, do të zbatohen në tërë territorin e Kosovës dhe janë të dedikuara për informim, gjegjësisht për të drejtuar shfrytëzuesin deri te potencialet/destinacionet e trashëgimisë kulturore dhe turistike, duke dhënë informacione të sakta lidhur me objektet, nëse ato janë kulturore historike, atraksione turistike apo natyrore, hoteliere, etj.

Ndërsa madhësia dhe forma do të jenë të ndryshme varësisht edhe nga specifika e informacionit që do të jepet në to, duke përfshirë edhe kodet përmes së cilave identifikohen lloj i objekti apo atraksioneve turistike dhe natyrore.

“Ky akt nënligjor mundëson dhe qartëson që Republika e Kosovës të shënjohet me simbole orientuese të trashëgimisë kulturore dhe për vendet turistike e që ua lehtëson turistëve vendor e ndërkombëtar që gjejnë më lehtë destinacionin që u intereson. Me këtë akt, ne kemi përmbushur edhe një standard për trashëgimi dhe turizëm dhe kjo bën që ne të afrohemi edhe një hap me standardet evropiane e ndërkombëtare”, ka pohuar me këtë rast ministri Gashi, citon komunikata.