Merovci: Bordi i PTK-së më ka bërë presion për nënshkrim të kontratës me ‘Dardaphone’

Ish-kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Adnan Merovci, në dëshminë e tij para Komisionit Parlamentar Hetimor për PTK-në, ka thënë se bordi i PTK-së i kishte bërë presion për nënshkrim të kontratës me kompaninë “Dardaphone”.

“Bordi ka kërku që kontrata me kompaninë “Dardaphone” të nënshkruhet sa më shpejt të jetë e mundur. Unë nuk kam qenë i përgatitur dhe kam kërkuar minimum 6 muaj kohë për këtë kontratë”, ka thënë Merovci.

Ai gjithashtu ka treguar se një javë pasi  ka nënshkruar parakontratën ose “marrëveshjen parimore”, ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeshefit.

Merovci në dëshminë e tij ka thënë se është takuar edhe me Blerim Devollin për të diskutuar për këtë marrëveshje.

“Jam takuar me Blerim Devollin dhe ortakun tjetër të kompanisë, i cili ka qenë amerikan , Philip Wolker. Në takim ka kërkuar me qenë prezent edhe Adrian Shatku, por për arsye se kishte borgj PTK-së, nuk kam pranuar të takohem me të”, ka deklaruar Merovci.

Merovci ka thënë se arsyeja e dorëheqjes së tij, ka qenë se kishte “presion profesional” nga bordi, ndërsa kishte qëndruar në këtë pozitë, sipas tij, vetëm për 5 javë. Nga 1 gushti 2008 deri në fillim të shtatorit të po atij viti.

Komisioni ka dështuar ta intervistojë ish-kryeshefi tjetër Shyqyri Haxha, pasi i njëjti nuk ndodhej në Kosovë dhe lidhja përmes Skype ju dështoi. Pas kësaj Komisioni vendosi të shtyej interistimin e Haxhës, lidhur me krizën në të cilën është futut Telekomi i Kosovës.