Kancelarja Angela Merkel - Foto: REL/Reuters

Merkel: Nuk mund të ketë ndryshim kufijsh në Ballkanin Perëndimor

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha sot se nuk mund të ketë ndryshime kufijsh në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ajo i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin e Bosnjës, Denis Zvizdiç, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet në rajon.

Zonja Merkel tha se me mysafirin e saj kanë rënë dakord për disa çështje.

“Çështja e parë është integriteti territorial i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kjo është një gjë e shenjtë, dhe këtë duhet ta përsërisim gjithherë, sepse ka gjithmonë përpjekje për të diskutuar mbi kufijtë. Këtë ne nuk mund ta bëjmë”, ka thënë kancelarja Merkel sipas “Zërit të Amerikës”.

“Nga kjo varet edhe ardhmëria europiane e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor”, shtoi ajo.

Këto deklarata kancelarja gjermane i bëri pas bujës së shkaktuar nga deklaratat e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili është deklaruar për “korrigjim të kufijve” mes Kosovës dhe Serbisë.