Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti amerikan, Donald Trump gjatë samitit të NATO-s./rel/

Merkel mirëpret dialogun ndërmjet Trumpit dhe Putinit

Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha sot se mirëpret çdo dialog në mes të presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij rus, Vladimir Putin.

“Ne duhet të mësohemi me faktin se takimet në mes të presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe presidentit të Rusisë do të bëhen normalitet”, tha Merkel gjatë një konference për media.

Merkel tha se shpreson se Putini dhe Trumpi do të bisedojnë për çarmatosjen bërthamore, duke theksuar se SHBA-ja dhe Rusia kanë rreth 90 për qind të armëve bërthamore në botë.

Presidenti Trump e ka ftuar homologun e tij rus, Putin që të vizitojë Uashingtonin. Ky njoftim vjen pas samitit që dy presidentët zhvilluan në Helsinki më 16 korrik.