Kurbetçiu Fatmir Ibrahimi proteston para Qeverisë - Foto: KALLXO.com

Mërgimtari kërkon drejtësi e siguri për investitorët

Të drejtën për të pasur një pronë në sheshin “Adem Jashari” në Lipjan e fitoi pasi që konkurroi në dhjetorin e vitit të kaluar në AKP.

Sikurse dje, edhe sot Fatmir Ibrahimi ka zënë vend dhe po proteston para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar përkrahje për të mbrojtur të drejtat dhe investitorët në Kosovë.

Me një pankartë në dorë ku shkruhet “Gurbetqari, Investimet në Kosovë nuk kanë siguri, Investimet në Kosovë sjellin bela”, Fatmiri nga Lipjani po kërkon nga krerët e shtetit mbështetje për një investim të cilin ai e ka bërë në Lipjan.

Ibrahimi i cili ka 25 vite që jeton dhe vepron në Angli, dhjetorin e kaluar siç ka treguar për KALLXO.com, ka blerë një pronë, për të cilën tani po i vuan pasojat.

“Çdo investim që kam bërë në Kosovë, më ka dalë me probleme. Kjo qeveri tu na thirrë neve gurbetqarëve me investu në Kosovë, kryeparlamentari na ka thënë që toka është e shenjtë, kryeprokurori ka thënë se çdo kush që investon në  Kosovë do të jetë i sigurt”, tha Ibrahimi.

Por ankesat e tij për rrezikim të investimeve nuk kanë marrë përgjigje deri tani.

“Kam investuar në dhjetor të vitit të kaluar. Në valën 38 të privatizimit, në tri asete kam konkurruar dhe në njërën kam qenë fitues. AKP nuk ka treguar se aty ka probleme me uzurpator. Pasi e kam bërë pagesën, disa të tjerë më kanë treguar që ka probleme me uzurpator”, tha Ibrahimi.

Sipas Ibrahimit, prona e cila më parë ishte duke u shfrytëzuar me qira nga një person, po i krijon probleme.

Ai thotë se personi që ka shfrytëzuar pronën para se ta fitojë Ibrahimi nuk po e liron atë, po i bën probleme dhe i ka sulmuar familjarët e tij.

Vëllai i Ibrahimit, disa ditë më parë është shtruar në spital dhe ka qenë në gjendje kome pas sulmit që thuhet se i është bërë nga familjarë të personit që e ka shfrytëzuar atë pronë.

“Kjo qeveri na thërret për të investuar kur s’ka siguri. Djersën e 25 vjetëve prej gurbeti unë me pru me investu e me pas probleme, pa siguri? Çka na mbetet neve, çka na thirrin neve gurbetqarëve”, tha Ibrahimi.

Sipas tij, për problemet që ka hasur në lidhje me pronën të cilën e ka blerë në dhjetor të vitit të kaluar, ka lajmëruar policinë, Agjencinë Kosovare të Privatizimit, prokurorinë, po ashtu edhe krerët e shtetit.

KALLXO.com ka kontaktuar zyrën për informim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), për ta pyetur në lidhje me rastin e investitorit Fatmir Ibrahimi.

Në një përgjigje drejtuar KALLXO.com, AKP ka thënë se me asistence të Policisë se Kosovës kishte bërë lirimin e pronës nga shfrytëzuesi i cili ka qenë në shfrytëzim afat shkurtër me kontratë qiraje deri në momentin e privatizimit, por i cili, sipas AKP-së, ka refuzuar ta lirojë lokalin pasi që ai nuk kishte arritur ta blejë atë përmes procedurës së shitjes.

“AKP më 20.03.2018 përmes asistencës së Policisë se Kosovës ka larguar uzurpatorin nga lokali. Kontrata blerësit z. Fatmir Ibrahimi i është dorëzuar një muaj pas lirimit me datë 23.04.2018”, thuhet në përgjigjen e AKP-së, drejtuar KALLXO.com.

AKP po ashtu ka shprehur ‘indinjatë të thellë lidhur me rastin në fjalë dhe përkujton se sulmi fizik dhe cenimi i pronës paraqet vepër penale të sanksionuar edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës’.

AKP me anë të përgjigjes për KALLXO.com u ka bërë ftesë organeve kompetente që të marrin masat e duhura ligjore në mbrojtje të të  drejtave të garantuara pronësore.

Investitori Fatmir Ibrahimi ka thënë për KALLXO.com se ndaj familjarëve të tij janë bërë gjashtë sulme.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Zyrën për Informim të Policisë së Rajonit të Prishtinës në lidhje me rastin.

Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti- Haziraj tha se në rajonin e policisë në Lipjan janë hapur gjashtë raste për sulm.

“Gjashtë raste janë hapur në stacionin policor në Lipjan, pesë prej tyre janë dorëzuar në prokurori ndërkohë që rasti i fundit po hetohet nga ana e hetuesve policorë”, tha Ahmeti- Haziraj për KALLXO.com.