Mërgimtarët flasin për pritjet në kufi (VIDEO)

Jo rrallë herë bashkatdhetarët tanë detyrohen të presin me orë të tëra në pikat kufitare e veçanërisht në atë të Merdarës.

Kolonat në kufirin e vendit me Serbinë nisin të shtohen pak para festave të fundvitit, por edhe gjatë pushimeve të verës.

KALLXO.com ka vizituar pikën kufitare në Merdarë, ku qytetarët u shprehen se për dallim nga herët e kaluara, këtë të premte nuk iu desh të presin gjatë.

Një mërgimtar nga Sllovenia tha për KALLXO.com se kontrollimi në këtë pikë kufitare është bërë shumë shpejtë.

“Deri këtu kemi kaluar shumë mirë, pa kurrfarë problemi hiç”, tha ai.

“Shumë ka pas, veç nëse kanë shku në tjera pikat, përndryshe, shumë shpejtë kanë punu, s`ka pas problem”, shtoi mërgimtari.

Një bashkatdhetar nga Zvicra tha se, për kalimin e tij nga pika kufitare e Merdarës për në Kosovë, gjatë ditës së sotme ka pasur pak kolonë.

“Mirë kemi ardhur deri këtu, ka pas pak kolonë,por jo aq shumë. Nuk e di nesër çka bëhet por sot mirë ka qenë’, tha Jetullahu.

Sipas mërgimtarit Safet Uka, ata kanë pritur vetëm në kufirin e Hungarisë.

“Në kufi të Hungarisë nja katër orë kemi prit, një orë qitu pritëm”, tha ai.

Ndërsa, Sali Reqica para kamerës së KALLXO.com u shpreh se rrugës së tij nga Gjermania për në vendlindje, nuk ka pritur fare.

“Jo, jo, shumë mirë kemi kapërcye”, u përgjigj shkurtë ai.

Mërgimtari tjetër nga Gjermania përveçse tha se nuk kishin pritur në kufi, ai u shpreh i entuziazmuar për formimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Urime së pari ushtria, jemi gëzuar shumë, e po shpresojmë të shkojmë veç përpara e kur të vijmë gëzueshëm, nuk e kam largu shqiponjën prej kerrit, se ka ma gëzu zemrën”, tha ai.

Ndërsa sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim kufitar, pritjet për hyrjen në pikën kufitare të Merdares sot kanë qenë kryesisht një orë dhe 5 minuta për të dalur nga Kosova.

 

 

 

21 Dhjetor 2018 - 17:47

Xheneta Murtezaj 21/12/2018 - 17:47
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend