Mendime të Kundërta për Imunitetin e Enver Hasanit

Në gjykimin e Enver Hasanit për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumenti, mbrojtja dhe prokuroria folën ndryshe për imunitetin e të akuzuarit.

Bajram Tmava, avokati i Enver Hasanit kundërshtoi në seancë që prokuroria të vendosë rreth imunitetit të të mbrojturit të tij.

“Nuk është e drejtë e Prokurorisë Speciale të vendosë për imunitetin, pasi për të vendosë organi që e jep atë,” tha Tmava.

Por këtyre pretendimeve të avokatit iu përgjigj prokurori special Abdurrahim Islami.

“Prokuroria konsideron se kjo aktakuzë është ngritur me të drejtë, pasi që në këtë rast nuk ekziston imuniteti funksional e as ai diplomatik siç pretendon mbrojtja,” tha prokurori Islami.

Ai e konsideroi të ligjshme aktakuzën e ngritur.

“Prokuroria konsideron se të gjitha provat në bazë të të cilave është ngritur aktakuza janë marrë në harmoni me kodet në fuqi dhe janë të ligjshme dhe në këtë rast nuk ekziston asnjë rrethanë që do ta përjashtojë përgjegjësinë penale ndaj të pandehurit,” tha Islami.

Por Bajram Tmava, avokati i Enver Hasanit tha se Gjykata Kushtetuese vendosi drejt në rastin e vazhdimit të mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë të saj.

“Besojmë që rasti KO 155/ 15 është vendosur në përputhje me kushtetutën dhe ligjet në fuqi,” tha Tmava.

Sipas aktakuzës, Enver Hasani në mënyrë të kundërligjshme në cilësinë e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese vendosi në lidhje me dekretin e Presidentes që kishte të bënte me vazhdimin e mandatit për tre gjyqtarët ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentes rreth vazhdimit të mandatit të 3 gjyqtarëve ndërkombëtarë, Hasani ka shënuar edhe emrin e gjyqtarit Robert Carolan, edhe pse ky gjyqtar nuk kishte marrë pjesë në shqyrtimin e kësaj çështjeje, ngase bëhej fjalë edhe për vazhdimin e mandatit të tij.

Hasani është deklaruar vazhdimisht i pafajshëm lidhur me këto akuza duke e cilësuar aktakuzën si hakmarrje ndaj tij për shkak të punës së tij si kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Për aktakuzën ndaj Hasanit u bë debat në janar të këtij viti në Emisionin “Jeta në Kosovë”.