Menaxhmenti i Teatrit paralajmëron masa për ata që 'bojkotojnë' shfaqjet

Paralajmërimet për sabotim të shfaqjeve të Teatrit Kombëtare të Kosovës nuk do të tolerohen dhe fajtorët ‘pa arsye’ do të ndëshkohen nga menaxhmenti i këtij teatri.

Milot Mustafa, ushtrues i detyrës së drejtorit të TKK-së ka konfirmuar për Kallxo.com se pas kthimit në normalitet të jetës teatrore dhe pas ndërprerjes se grevës, menaxhmenti i TKK-së nuk do të tolerojë anulimin e shfaqjeve, por siç ka thënë ai, secili pjesëtar që e pengon rrjedhën normale do të ndëshkohet në bazë të ligjeve në fuqi.

“Në TKK kemi pasur disa anulime dhe arsyet kanë qenë nga më të ndryshme, pasi që shfaqja është veprimtari e gjallë edhe aktiviteti është i varur nga secili pjesëmarrës në projekt, kohëve të fundit kemi pasur edhe greva, në një rast anulimi ka ndodhur për shkak se një pjesëtar i stafit të shfaqjes për arsye familjare kishte qëndruar jashtë shtetit. Ndërsa në një rast ka pasur bojkot të shfaqjes nga një pjesë e aktorëve me arsyetimin e vërshimi të ujërave te zeza në teatër dhe për këtë është hapur rast disiplinor në MRKS”, ka thënë u.d.d të TKK-së, Musftafa.