Harta: Ilustrim

Meha: Janë Caktuar Pikat Kufitare me Serbinë

Pas shënimit të vijave kufitare me dy shtetet fqinje, Maqedoninë dhe Malit të Zi, radha është që ky proces të përfundojë edhe me fqinjin tjetër – Serbinë.

Por, sikur edhe me dy shtetet e mësipërme edhe me Serbinë pritet të ketë pika që do të kontestohen nga të dyja palët.

Ministrja kosovare për Dialog, Edita Tahiri, ka premtuar kohë më parë se në raundin e tretë të bisedimeve me Serbinë duhet biseduar edhe për caktimin e vijave kufitare.

KALLXO.com ka bërë përpjekje të bisedojë me ministren rreth kësaj çështjeje, por kontakti me të ishte i pamundur për shkak se ajo ndodhej jashtë vendit.

Ndërkohë, KALLXO.com ka kontaktuar Murat Mehën, i cili ka qenë kryetar i Komisionit Qeveritar që ka bërë shënimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Ndonëse sugjeroi që pyetjet për këtë çështje t’i drejtohen Qeverisë, Meha tregoi se tashmë janë caktuar 6 pikat kufitare me Serbinë, të cilat, sipas tij, janë shumë të sakta dhe të sigurta.

“Ndërsa, sa u përket gjërave të tjera rreth kufirit, vendimi është politik, andaj i mbetet Qeverisë”, tha Murat Meha për KALLXO.com.
Meha nuk ka pranuar të përgjigjet nëse është kontaktuar nga Qeveria për të drejtuar Komisionin Qeveritar për shënimin e vijës kufitare Kosovë-Serbi.

Ndërsa, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, i cili vjen nga ana e Kamenicës, zonë që gjendet në kufirin Kosovë-Serbi, tha për KALLXO.com se Qeveria nuk duhet ta diskutojë fare këtë çështje pa ardhur konfirmimi se Kosova njihet si shtet nga pala serbe.

Isufi i kundërpërgjigjet Mehës duke thënë se pikat kufitare që janë në dispozicion tani kanë devijuar gjatë kohës.

 
“Banorët e fshatrave Karaçevë dhe Zahiraj dhe pjesët e tjera që janë kontestuese duhet të jenë pjesë e bisedimeve për caktimin e vijës kufitare me Serbinë vetëm kur kjo e fundit të pranojë Kosovën si shtet, sepse është e vërtetë që është devijuar vija kufitare e mëhershme”, tha mes tjerash Isufi.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Kamenicës, Begzad Sinani pret që edhe ai si i zgjedhur i qytetarëve të asaj ane të jetë pjesë e bisedimeve.
“Janë disa pjesë që kontestohen nga vijat aktuale kufitare. Megjithatë, unë shpresoj që kur të fillojë ky proces të dëgjohet edhe zëri i qytetarëve të Karaçevës”, u shpreh Sinani.

Ndryshe, Kosova prej shpalljes së pavarësisë më 2008, ka arritur të përfundojë në tërësi procesin e shënimit të vijës kufitare me Maqedoninë, e cila edhe sot kontestohet nga disa zëra.

Ndërsa, në gushtin e kaluar, Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen me Malin e Zi, e cila kishte ngjallë reagime të shumta në Kosovë, sidomos të partive opozitare, të cilat sot e asaj dite vazhdojnë ta kundërshtojnë me të gjitha forcat. Madje as ekspertët ndërkombëtarë të kontraktuar nga ish-Presidentja Atifete Jahjaga nuk e bindën opozitën, e pjesërisht edhe pozitën, se gjithçka është në rregull me demarkacionin.
Kuvendi nuk ka arritur ta ratifikojë këtë marrëveshje për shkak të kundërshtimit të opozitës.

http://kallxo.com/haradinaj-kosova-shtrihet-deri-ne-cakorr-e-zhlep/

http://kallxo.com/ldk-e-rugoves-kunder-demarkacionit-malin-e-zi/

http://kallxo.com/amerika-konfirmon-kufirin-kosove-mali-i-zi/