Media zvicerane: Organizatorët e festivalit në Zvicër të afërt me Sami Lushtakun

Tipari i veçantë i Festivalit Alba, i cili planifikohet të mbahet në fund të qershorit në zonën e Hardturm në Cyrih, është vendi ku do të këndojnë këtë vit vetëm artistët shqiptarë.

Organizatorët kanë premtuar që ky festival do të jetë i mahnitshëm ku pritet të këndojë edhe këngëtarja me famë botërore, Rita Ora.

Megjithatë sipas medias zvicerane, blick.ch pas ngjarjes qëndron kompania e sapoformuar Time Event AG në Cyrih.

Sipas tyre, pronarët e kompanisë janë Adem Morina dhe Avni Ajrizi të cilët kanë lidhje të ngushta me ish-kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku.

Pronari i kompanisë, Avni Ajrizi ka postuar në llogarinë e tij në Facebook fotografi me makina të shtrenjta dhe jetesës lluksoze. Si dhe një foto me Lushtakun.

Mediumi zviceran, poashtu ka treguar se Lushtaku ka qenë i involvuar në disa procese gjyqësore, duke përfshirë edhe rastin e tenderit për siguriumin e KEK-ut.

Tutje ata në tekst kanë përfshirë edhe njoftimin e ambasadës së SHBA në Kosovë, e cila njoftoi se të gjithë pjesëmarrësit e rastit “Pronto” dhe çështje të ngjashme nuk do t’u jepen viza për në ShBA.

Blick ka cekur se të hënën pritet vendimi kundër Sami Lushtakut në lidhje me tenderin e KEK-ut.

‘SonntagsBlick’, poashtu raporton se ka kërkuar përgjigje nga organizatorët e Festivalit Alba për marrëdhënien e tyre me Lushtakun.

Si rezultat, Avni Ajrizi, një prej tyre, siç raporton Blick.ch ka çaktivizuar përkohësisht llogarinë e tij në Facebook.

Në emër të tij, partneri i tij i biznesit Morina siç raporton Blick ka deklaruar në një e-mail se ai nuk ka marrëdhënie me Sami Lushtaku.

Festivali do të mbahet me 29 dhe 30 qershor dhe do të jetë Open Air.