Me Rektorin Dhe Kundër Ndikimeve Politike në Universitet

Një grup studentësh dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, nesër në orën 12:00 do të organizojnë një marsh protestues në përkrahje të rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahut, dorëheqja e të cilit po kërkohet nga organizatat e dala nga lufta.

Gjatë një konference për gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe studentë treguan arsyet se pse kanë vendosur të organizojnë një marsh të tillë në mbrojte të rektorit.

Roland Sylejmani, student në Universitetin e Prishtinës dhe njëri nga organizatorët e marshit u deklarua kundër ndërhyrjeve në Universitetin e Prishtinës.

“Ministria e Arsimit, pas vendimeve të marra nga rektori që ne i konsiderojmë plotësisht të drejta, ka bërë ndërhyrje flagrante në të duke i shfrytëzuar kështu edhe mekanizmat e saj, organizatat e dala nga lufta dhe organizatat tjera studentore”, tha Sylejmani.

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kërkuan të enjten dorëheqjen e rektorit, pasi rektori nuk po dëshiron ta zbatojë një memorandum të nënshkruar nga UP-ja me këto organizata në vitin 2009 për pranimin e studentëve jashtë kritereve të përcaktuara.

Po atë ditë ministri i Arsimit Ramë Buja u takua me rektorin Zejnullahu, duke kërkuar kompromis në lidhje me këto lista studentësh.

Sipas Sylejmanit, kësisoj po krijohet presion mbi rektoratin dhe po pamundësohet marrja e vendimeve të drejta për Universitetin.

Ndërkaq, Krenare Loxhaj, po ashtu studente në Universitetin e Prishtinës tha se duke marrë parasysh që Universiteti i Prishtinës është institucion publik autonom, ai duhet të trajtohet si i tillë dhe nuk duhet t’i cenohet autonomia .

“Pas protestave të veteranëve të cilat të cilat ne i njohim si e drejtë e tyre e pamohueshme, ne jemi të shqetësuar tej mase jo me formën e protestave aq shumë, sa me ndërhyrjen e Ministrisë së Arsimit në autonominë e Universitetit të Prishtinës duke insistuar t’i rregullojë punët e brendshme të tij”, tha Loxhaj.

Sipas saj, kur Universiteti nuk është i lirë, në të nuk prodhohet shkencë, por riprodhohen kuadro mediokre të pushteteve, në funksion po të pushteteve.

Analistja  Besa Luzha tha se ideja nuk është që të organizohet një protestë kundër atyre që kanë protestuar, por që të dëshmohet se profesorët, studentët dhe qytetarët konsiderojnë që Universiteti duhet mbrojtur përfundimisht nga ndikimet e jashtme.

“Duam simbolikisht me një protestë paqësore të tregojmë se ka njerëz që përkrahin vendimet që ka iniciu rektori dhe prapa idesë se me të vërtetë pas shumë vjetësh, universiteti duhet të frymojë i pavarur nga ndikimet politike dhe nga ndikimet e grupeve të interesit, sepse pas luftës liria akademike është ngulfatur nga tëra anët”, tha Luzha.

Kurse profesori universitar, Ruzhdi Sefa tha se do të jetë pjesë e kësaj nisme me arsyen se nuk dëshiron të qëndrojnë i heshtur ndaj cenimeve që po i bëhen Universitetit të  Prishtinës.

Ai tha se duke marrë parasysh kontributin që është dhënë për funksionimin e duhur të UP-së, është e papranueshme që ai sot të cenohet nga grupe të ndryshme për interesa të caktuara.