Me paqartësi nis seanca plenare e Kuvendit

Mes diskutimeve dhe paqartësive ka nisur seanca plenare e Kuvendit të Kosovës.

Kjo pasi që fillimisht disa deputetë kërkuan që të votohet një mocion procedural që seanca të vazhdojë nga pika 3 e rendit të ditës: Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë, si dhe pika 4. Formimi i Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë.

Por deputetët nuk u treguan unik, duke bërë që të mos kalojë mocioni, pasi mocioni mori vetëm 57 vota për, si dhe seanca të vazhdojë me kohën për deklarime jashtë rendit të ditës, si dhe për pyetje parlamentare.

Fillimisht, me pak deputetë prezentë në sallë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli arsyetoi mungesën e deputetëve të PDK-së në seancën e sotme.

“Për njoftim, një pjesë e deputetëve të PDK-së nuk janë këtu për  faktin se është dita e zhdukjes së Ukshin Hotit, në orën 12:00 ka Akademi përkujtimore në Prizren. Ne do të shkojmë në bazë të rendit të ditës, pastaj në ora 14:00, pas dy pikave të para mund të kthehemi në Kuvend, për hir të pranishmëve të shoqatave të luftës”, tha ai.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së Daut Haradinaj propozoi që Kuvendi të vazhdojë seancën me shqyrtimin e Propozim-Rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë, si dhe formimin e Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë

“Me qenë se është temë shumë e ndjeshme unë kisha propozu që të kemi një mocion që që t’i hyjmë renit të ditës, kështu që të mos I lëmë deri në ora 14 po të vazhdojmë direkt me rendin e ditës për çka është thirr kjo seancë”, tha deputeti.

Ndërkaq, deputeti Elmi Reçica nga  PDK shtoi se seanca duhet të vazhdojë sipas rendit të ditës.

“Një pjesë e deputetëve janë në Prizren, përkundër mirëkuptimit për familjarët që kanë ardhur këtu, mendoj që do të duhej të filloj seanca ashtu siç ishte planifikuar dhe pastaj të kthehemi në ora 2 të kthehemi të gjithë dhe të vinë edhe deputetët e tjerë kjo seancë është një çështje që duhet të vendoset aty për aty, do të duhej të kemi kourum për ti votuar propozimet”, theksoi deputeti.

Kurse, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi propozoi që seanca të ketë mbarëvajtjen ashtu siç është thirrur.

“Të vazhdojë agjenda si e ka përcaktuar Kryesia e Kuvendit”, u shpreh ai.

Ndërsa, deputeti i Nismës, Milaim Zeka kërkoi që në nderim të Ukshin Hotit, Kuvendi të mbajë 1 minutë heshtje.

“Mendoj që si parlament dhe deputet, nderimin më të madh Ukshin Hotit ia bëjmë me një minutë nderim heshtje, unë propozoj që me qitë në votim propozimin e deputetit Haradinaj dhe ta vazhdojmë seancën për atë që është thirr”, tha ai, por kryeparlamentari Kadri Veseli tha se nuk mund të ketë një minutë heshtje për persona të cilat ende nuk dihet fati i tyre.

Më pas, fjalën e mori sërish deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj i cili tha se e tërheq kërkesën për mocion, pasi shumë deputetë kërkuan që seanca të mbahet sipas rendit të ditës.

Por edhe pas këtyre diskutimeve, deputeti i PSD-së, Driton Çaushi kërkoi që të votohet mocioni procedural.

“Besoj që të gjithë e kuptojnë ndjeshmërinë e kësaj çështje, e kuptojnë që tashmë janë ftuare përfaqësuesit e familjarëve dhe shoqatave, edhe besoj që është mëse e natyrshme që ne si Kuvend ti përshtatemi kësaj rrethane dhe pikat e vendit ti vazhdojmë më tutje pasi që të trajtohet kjo çështje. Kjo është dashtë të organizohet më mirë dje, por nuk besoj që është arsye për të mos bërë një mocion dhe për ta ndryshuar rendin e ditës”, tha ai.

Ndërkaq, deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci tha se kjo që po ndodhë në Kuvend nuk është aspak serioze.

“Është e padrejtë që tash të vendosim mes organizime për z. Ukshin Hoti apo tash që i kemi familjarët këtu që po presin me fillu seanca. Temat që janë caktu sot janë tepër serioze, duhet diskutim i mirëfilltë. Qe 20 vjet po bëhet hajgare me këto çështje”, tha ajo.

Më pas kryetari i Kuvendit Kadri Veseli tha se seanca do të vazhdojë sipas rendit të ditës.

16 Maj 2019 - 11:11

Emirjeta Vllahiu, Arta Sopi 16/05/2019 - 11:11
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend