Foto: PDK

Me Hajdar Beqën, Kadri Veseli e promovon PDK-në në Gjakovë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot strukturat e reja të PDK-së në Suharekë e Gjakovë për të diskutuar vizionin e tij për jetësimin e platformës Dekada e Re.

Bashkë me Veselin në Gjakovë ka qenë edhe deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa.

Në muajin maj, emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte transmetuar filmime nga takimet ku vëllai i Hajdar Beqajt diskuton me pronarin e një biznesi nga Gjakova kërkesën që atij t’i dorëzohen 33% e aksioneve të një kompanie për të garantuar marrjen e një ankandi në Gjakovë.

Hajdar Podrimja ka rrëfyer në emision se vëllai i Hajdar Beqajt i ka kërkuar 33 % të aksioneve të kompanisë për t’i hapur rrugë nënshkrimit të një kontrate në Komunë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa kishte reaguar pas transmetimit të hulumtimit ‘Drejtësia në Kosovë’ që përfshinte vëllain e tij.

Beqa ka reaguar duke thënë se ai nuk ka të bëjë asgjë me këtë proces dhe se dy biznesmenët kanë keqpërdorur emrin e tij.

“E them me përgjegjësi morale e juridike, që unë nuk kam të bëjë asgjë me këtë proces, dhe dy personat e ashtuquajtur biznesmen kanë keqpërdorur emrin tim. Une i bëj thirrje Prokurorisë se sa më shpejtë që është e mundur ta hetojnë këtë rast”, shkroi ai.

Gjatë takimeve në Gjakovë dhe Suharekë, kryetari Veseli vlerësoi kulturën demokratike, rezultatet e procesit zgjedhor dhe Dekadën e Re si vizion dhe platformë politike.

“Ne sot jemi dëshmitar për shpejtësinë e zhvillimeve të pritshme por edhe të pa pritshme politike brenda dhe jashtë vendit. Vendit tonë, ne me mundësitë dhe veprimet tona, duhet t’i shërbejmë më së miri që mundemi, sepse, ky është obligim për të djeshmen tonë, të sotmen dhe ardhmen e fëmijëve tanë, si detyrim dhe obligim madhor, brenda vlerave të interesit dhe synimit nacional, integrimin me vlerat euro-atlantike”, theksoi Veseli.

Kreu i PDK-së tha se reformat e reja që kanë filluar, do ta fuqizojnë PDK-në edhe më shumë si partia më e madhe në vend e cila ka përgjegjësinë për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit.

“Ne kemi ofruar dhe ofrojmë si parti hapësirë për të gjithë, por, këto mundësi duhet të kenë impakt në secilin nivel. Marrja e përgjegjësisë dhe ballafaqimi e sfidat është tipar yni, ndërsa ADN-ja jonë është e pranishme në secilin projekt me vlerë nacionale që nga çlirimi e deri sot. Ne nuk do të ndalemi duke ofruar mundësitë më të mira dhe vlerat më të mira në secilin nivel, duke e bërë vendin tonë të zhvilluar dhe me vlera”, tha Veseli.

Duke folur për projektet dhe reformat e mëdha të ministrave të PDK-së, kreu i PDK-së tha se në partinë që e drejton nuk do të ketë hapësirë për asnjë individ që ka probleme me ligjin.

Para rreth 2 jave, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli kishte marrë vendim që t’i largojë nga partia personat që kanë aktakuza.

Mirëpo, kjo po del të jetë veç një kërkesë e Veselit, e cila mbetet nën vullnetin e zyrtarëve që kanë aktakuza, nëse dëshirojnë të lirojnë pozitat e tyre brenda partisë apo jo.

Gazeta Jeta në Kosovë merr vesh se zyrtarisht, PDK, nuk i ka kërkuar asnjërit prej zyrtarëve të partisë të liroj postet.

Lushtaku para 8 ditësh, përmes një deklarimi në Facebook, kishte thënë se mandatin e kryetarit të degës, ia marrin ata që e kanë votuar dhe askush tjetër.

Ai kishte bërë edhe akuza të mëdha në drejtim të partisë, duke thënë se janë disa bashkapartiak të tij që kontrollojnë cdo gjë në Kosovë, përfshi drejtësinë, mediat dhe bizneset.

Ramë Vataj, kryetar i Degës së PDK-së në Suharekë, tha se në këtë komunë ka pasur shumë ndryshime pozitive gjatë procesit të brendshëm zgjedhor ku shumë profesionistë të fushave të ndryshme që i kanë sjellë energji të re Dekadës së Re.

Pas takimit me strukturat e Degës së PDK-së në Suharekë, kryetari Veseli ka mbajtur takim edhe me strukturat e degës së PDK-së në Gjakovë, ku u prit nga strukturat lokale të kësaj partie, të cilat i përgëzoi për punën dhe angazhimin, ndërsa i ftoi të punojnë më shumë për tu ofruar tek qytetarët dhe të flasin për vizionin e Dekadës së Re.

Më poshtë gjeni të bashkëngjitur emisionin “Drejtësia në Kosovës” me filmimet ekskluzive nga takimet ku vëllai i Hajdar Beqajt diskuton me pronarin e një biznesi nga Gjakova kërkesën që atij t’i dorëzohen 33% të aksioneve të një kompanie për të garantuar marrjen e një ankandi në Gjakovë.