Foto: Komuna e Gjilanit

Me festivalin e muzikës popullore u përmbyll ‘Flaka e Janarit 2019’

Këngëtari Sokol Latifi, i cili ka interpretuar këngën “Zëri i atdheut”, ka fituar çmimin e parë në Festivalin e Muzikës Popullore “Fest Flaka 2019”, që është mbajtur në kuadër të manifestimit kulturor “Flaka e Janarit 2019”.

Çmimin e dytë e ka fituar Rina Kurteshi, që ka kënduar këngën “Margjelo”, derisa e treta u radhit Elona Sadiku, që interpretoi këngën “Po m’rrah zemra”, njofton Komuna e Gjilanit.

Festivalin e Këngës e ka hapur Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit, i cili ka theksuar se është kënaqësi të kesh një orkestër dhe artistë të tillë që sonte performojnë dhe që me këtë festival e përmbyllin “Flakën e Janarit”.

Gjatë kësaj mbrëmje, kryetari Haziri ka paralajmëruar vendosjen e monumentit të heroinës, emërimin e autostradës me emrin e Agim Ramadanit dhe emërimin e Bibliotekës së Qytetit me emrin e Beqir Musliut.