Me Bunar fest nis sezoni i festivaleve në Prizren

Për të pesëmbëdhjetën herë me radhë organizohet festivali më atraktiv i qytetit të Prizrenit “Bunar Fest”.

Festivali tradicional “Bunar fest” këtë vit organizohet në datat 08-09 qershor dhe si zakonisht nuk ka karakter garues.

Misioni kryesor i festivalit “Bunar Fest” është vetëdijesimi i qytetarëve për ta mbajtur lumin të pastër dhe për të pasur kujdes për të.

Sipas përgjegjësit kryesor të festivalit, Dren Marselit gara e lëshimit me goma në lumin Bistrica është traditë e vjetër dhe ka ekzistuar edhe para festivalit Bunar fest.

Sipas tij numri i garuesve femra ka qenë në rritje nga njëri edicion në tjetrin dhe këtë vit ka kërkesa nga garues edhe të huaj, sidomos nga Hungaria e Amerika.

“Numri i garuesve sillet zakonisht rreth 50. Megjithëse gara vlerësohet e rrezikshmërisë mesatare, kemi preferuar qe mos te kemi numër te madh te garuesve, ne mënyrë qe te kemi me lehte kontrollin dhe sigurimin e masave mbrojtëse për ta. Sidomos ne vitet e fundit numri i garuesve nga gjinia femërore gjithmonë ka qene ne rritje”, ka thënë Marseli për KALLXO.com.

Pajisjet mbrojtëse për të gjithë garuesit janë të siguruara nga organizatorët e këtij festivali.

“Ne si organizatore jemi kujdesur qe te gjithë garuesve ti ofrojmë pajisje mbrojtëse siç janë helmeta dhe jeleku i shpëtimit. Gjithashtu garuesit lejohen qe te kenë edhe vetë pajisje mbrojtëse shtese, nëse e shohin te arsyeshme. Para fillimit te garës gjithashtu garuesit njoftohen për pjesën e terrenit ku mund te jete i rrezikshëm dhe si duhet te veprojnë gjate garës. Përveç kësaj edhe ekipi i vullnetareve është ne gjendje gatishmërie për të ndërhyrë dhe për t’i ndihmuar garuesit ne rast nevoje”, ka treguar tutje ai.

Marseli ka treguar po ashtu se mbështetja financiare është sfidë për mbarëvajtjen e festivalit përkundër se këtë vit janë përkrahur nga Drejtoria për Kulturë dhe Sport në Komunën e Prizrenit.

Thirrja për aplikim për pjesëmarrje në festivalin Bunar fest do të hapet në ditët ne vijim dhe do te zgjasë për dy javë.

Ndërsa arsyeja e organizimit të festivalit në fillim të muajit qershor, sipas Marselit është niveli i ulët i ujit në lumë.

 

16 Maj 2019 - 16:25

Drenushë Ramadani 16/05/2019 - 16:25
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend