Pjesa ku është mbyllur rruga Hani i Elezit - Kaçanik, Foto: Kallxo.com

Mbyllet rruga Kaçanik - Hani i Elezit për shkak të rrezikut nga shembja e kodrës

Sot në orën 10është mbyllur për qarkullim rruga nacionale, Kaçanik – Hani i Elezit për shkak të rrezikut që paraqet për qytetarët shembja e kodrës, plasaritja e së cilës  është zgjeruar.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, gjatë një konference për shtyp po ashtu ka dhënë detaje se cilat veprime do të ndërmerren në vijim sa i përket kësaj rruge.

Kadriu ka thënë se në ditët në vijim do të bëhen matje të vazhdueshme nga ekspertët, në mënyrë që të dihet saktë se sa është lëvizja e terrenit në këtë segment rrugor, që të mund të merren masat e duhura në sanim të dëmit dhe për sigurinë e qytetarëve.

Ai duke folur për alternativat e ofruara për qytetarët ka dhënë detaje se cilat rrugë do të mund të shfrytëzohen për qarkullim me vetura dhe cilat për kamionë.

“Gjatë punës tonë në teren gjatë këtyre ditëve kemi hasur në një pjesë të kodrës e cila bie në rrugën N 2, segmenti Kaçanik – Hani i Elezit dhe jemi njoftuar edhe  nga  mbikëqyrësi i rajonit të Ferizajt se ka lëvizje të asaj pjese, me ç’rast bashkë me drejtorin e mbikëqyrjes së projekteve  kemi konstatuar gjendjen që në ditën e premte dhe kemi parë se situata është jashtëzakonisht serioze në atë pjesë. Mbrëmë me fillimin e reshjeve atmosferike, në atë segment plasaritja veçse është zgjeruar për disa centimetra, kështu që ne sot bashkë me të gjithë drejtorët i kemi rekomanduar ministrit Pal Lekaj, që të merret vendim për ndërprerjen e qarkullimit të veturave në aksin rrugor Kaçanik- Hani i Elezit”, tha Rexhepi.

Masat që duhet të merren në këtë segment janë sinjalistika e cila duhet bërë për orientim të qytetarëve se nga të lëvizin, largimi i gabioneve të gurëve e që janë jashtëzakonisht problematik, sepse po e rëndojnë brezin e rrugës, shqyrtimet gjeo-mekanike që duhen bërë qysh nga nesër, matjet e lëvizjes së tokës përgjatë një jave rresht, sepse duan ta shohim se sa kanë lëvizje të asaj pjese brenda ditës dhe brenda orëve dhe në fundtë kenë një propozim të daljes nga kjo gjendje e cila është momentale.

“Ne si alternativë kemi paraparë që veturat të kalojnë në aksin rrugor Glloboçicë – Gorancë – Hani i Elezit, rrugë e cila ka një gjatësi prej 12 kilometrash dhe e cila vitin e kaluar nga Ministria e Infrastrukturës është asfaltuar dhe ka një gjerësi prej 6 metrash, ndërsa nga Fusha e Pajtimit,  i bije diku rreth 24 kilometra, ku qytetarët mund ta shfrytëzojnë për në drejtim të Shkupit. Alternativa tjetër është edhe pikëkalimi në Glloboçicë, i cili shkon në drejtim të Tetovës. Kurse të gjithë kamionët duhet të kalojnë në Glloboçicë që nga dita e nesërme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës.

MI-ja ka deklaruar se të gjitha këto veprime të ndërmarra sot, janë vendim i vështirë për ministrinë, sepse do të ketë vështirësi të madhe në qarkullim për qytetarët, mirëpo kjo po bëhet për herë të parë si masë preventivepër sigurinë e qytetarëve para se shembja të ndodhë,  sepse atëherë do të rrezikohej qytetari.

“Prandaj ne kemi marrë masat qysh tash që të mos vije deri tek një situatë e cila do të mund të ishte me pasoja edhe fatale për pjesëmarrësit në komunikacion. Ne brenda 10 dite planifikojmë ta dimë saktë se si duhet vepruar dhe do të dalim me një projekt për sanimin gjendjes, qoftë me ndërtim të një ure, apo riasfaltim të asaj pjese, por kjo do të varet nga vendimi pas matjeve të ekspertëve mbi bazën e vlerësimit të situatës”, tha zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu.