Mbyllet pa rezultat mbledhja e Komisionit për dëbimin e shtetasve turq

Ka përfunduar vrullshëm dhe pas asnjë rezultat mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq, pa marrë asnjë përgjigje nga ana e presidentit Hashim Thaçi.

Kryesuesi i Komisionit, Xhelal Sveçla konstatoi se nuk ka kushte për të vazhduar mbledhjen, për shkak se Presidenti refuzoi të përgjigjet në pyetjet e anëtarëve të komisionit.

“Konstatoj që nuk ekzistojnë kushtet për punë, meqenëse Presidenti refuzon t’i  përgjigjet pyetjeve të anëtarëve të Komisionit dhe me kaq e mbylli këtë takim”, tha ai.

Por, gjatë deklaratës së Sveçlës, ndërhyri Presidenti Thaçi.

“Jo, vetëm edhe një sqarim se…Do të thotë nuk jeni të gatshëm me më dëgju. Okej. Falemnderit shumë, kur të ju bohen punët juve. Ne..me qetësi, dashuri, respekt”, përfundoi Presidenti.

Paraprakisht, Driton Selmanaj nga LDK-ja kërkoi të mos fyhet inteligjenca e qytetarëve me vazhdimin e kësaj mbledhje.

“Me qenë se jemi në këtë situatë, ne mund të rrimë me javë këtu, baza ligjore është shumë e saktë na jep të drejtë me angazhu, kontestoje në gjykatë, paditna, krijoji 5 mbi komisione mbi neve. Nuk keni marrë mundin një shkronjë me na thanë o nuk pi mujt me ardh, keni ardh kur janë deklaru 5/6 zyre ndërkombëtarë. Nuk konsideroj qe ne mund të shkojmë në trajtim me këtë skenar president-pdk sepse nuk është ne rregull me familjet që ja kemi qu burrat me thes në kry”, tha ai.

Kurse, Muharrem Nitaj nga AAK-ja, tha se sot qytetarët kanë parë shfaqje në këtë komision.

“Presidenti nuk është i gatshëm, keni bo një shfaqje fantastike për qytetarët e Kosovës për shkak që presidenti ka një kërkesë që nuk mund të realizohet brenda ditës, kështu që kryetarë unë ju ftoj me e mbyllë mbledhjen le ta vlerësojnë qytetarët kujt i bie barra”, tha ai.

Ndërsa, Sami Kurteshi nga LVV-ja u shpreh se Thaçi është i gatshëm të bëjë shpifje personale.

“Presidenti, Hashim Thaçi me të gjitha lojërat që i bënë nuk është i gatshëm që të përgjigjet në asnjë pyetje, përkundrazi është i gatshëm të bëjë shpifje personale, unë konstatoj që presidenti nuk është i gatshëm të përgjigjet në pyetjet e komisionit parlamentar”, tha ai.

Ndërkaq, presidenti iu kundërpërgjigj sërish Kurteshit.

“Unë vetëm mund të them që ndoshta kam bë keq që nuk të kam thirr z.Kurteshi por Sami”, tha ai.