Mbyllet Festivali i Teatrove në Ferizaj, shfaqja ‘Gratë’ më e mira

Shfaqja “Gratë” e teatrit shqiptar të Shkupit ka marrë çmimin “Shfaqja më e mirë” në edicionit e 48-të të Festivalit të Teatrove në Ferizaj, festivali që u mbyllë mbrëmë.

Përveç këtij çmimi shfaqja “Gratë” ka marrë edhe çmimin “Regjia më e mirë”, që e mori regjisori Qëndrim Rijani, çmimin e medieve dhe çmimin “Roli dytësor më i mirë’ për aktore e kësaj shfaqje, Armenis Jovanovska Nokshiqi,

Çmimin për “Aktorin më të mirë” e mori Shpëtim Selmani, për shfaqjen ‘Zoti i masakrës” të Teatri Kombëtar të Kosovës, kurse çmimi “Aktorja më e mirë” iu nda Elia Zaharias për shfaqjen “Vetëvrasësi” të teatri ”A. Z. Çajupi” të Korçës.

U ndanë edhe çmimet “Skenografia më e mirë’, i cili i takoi Mentor Berishës për shfaqjen “Ata që ikin”, Teatri “Bekim Fehmiu” – Prizren, “Kostumografia më e mirë” shkoi për Samka Ferrin për shfaqjen “Ata që ikin”, Teatri “Bekim Fehmiu” – Prizren, “Roli më i mirë episodik” i takoi Vjosa Abazit nga Teatri “Adriana” i Ferizajt.

Kurse çmimi “Roli dytësor më i mirë” për aktor  iu nda Avni Shkodrës nga Teatri i Qytetit – Gjilan.