Mbyllen shitoret në komunat veriore të Kosovës

Shitoret në veri të Mitrovicës janë të mbyllura, që nga mëngjesi i ditës së hënë. Në shenjë solidarizimi, nuk punojnë as kafiteritë, pompat e derivateve dhe taksitë.

Shtatë muaj pasi qeveria e Kosovës vendosi një taksë prej 100 përqind, për mallrat nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, Mitrovica e Veriut thotë se nuk ka më mallra për shitje, veçanërisht produktet e qumështit, miellit, vajit si dhe produkte tjera.

Radosh Petroviq, një përfaqësues i Shoqatës së Biznesmenëve nga veriu i Kosovës në një deklaratë për Radio Evropa e Lirë, tha se shitoret u mbyllën për shkak të taksës dhe pamundësisë së biznesmenëve nga Kosova veriore për t’u marrë me aktivitetet e tyre.

Ai nuk bëri të ditur se deri kur do të jenë të mbyllura dyqanet, duke thënë se “kjo varet nga situata në terren”.

Siç tha ai, furrat e bukës do të punojnë me kapacitet të reduktuar dhe buka do të dorëzohet vetëm në spital, në Qendrën e Studentëve dhe në kopshte.

Autoritetet serbe kanë thënë vazhdimisht se veriu është i kërcënuar nga një “katastrofë humanitare”, ndërsa zyrtarët në Prishtinë kanë thënë se ky është vetëm inskenim i një krize humanitare.

Në periudhën e fundit autoritetet e Kosovës kanë rritur kontrollin mbi kalimet alternative, të paligjshme, midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat përdoreshin për të transportuar mallrat serbe.