Mbrojtja e Konsideron të Jashtëligjshme Aktakuzën në Rastin “Apex”

10 të akuzuarit në rastin “Apex” u deklaruan të pafajshëm, ndërsa disa nga avokatët i gjetën të meta aktakuzës.

Prokurori i EULEX-it Andrew Carney lexoi aktakuzën në seancën fillestare të mbajtur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Akuza 1, krim i organizuar, organizimi i një grupi kriminal lidhur me veprën penale të zhvatjes e dënuar me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim së paku 10 vjet kundër Arben e Astrit Krasniqit, sepse nga viti 2008 deri në vitin 2013 si pronarë të kompanisë “Apex” kanë themeluar aktivitetet e grupit kriminal,” lexoi prokurori.

Ai tregoi edhe për çfarë arsye u themelua dhe vepronte ky grup.

“Qëllimi i këtij grupi ishte përftimi material duke shfrytëzuar forcën dhe kërcënimet serioze për t’i detyruar bizneset apo individët tjerë që t’i mbyllin kazinotë e tyre, të largojnë makina të caktuara të lojërave të fatit, apo të veprojnë sipas kushteve të pafavorshme për ta,” deklaroi prokurori Carney duke lexuar akuzën.

Përveç Arben e Astrit Krasniqit ,të akuzuar për pjesëmarrje në këtë grup janë edhe  Armend Neziri, Mujë Berisha, Gani Zeqiri, Kushtrim Hakaj, Arsim Mulliqi, Agron Hoxha, Ilir Morina dhe Avni Morina.

Pas leximit të aktakuzës, të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës.

Pas përfundimit të seancës, avokati Destan Rukiqi e cilësoi aktakuzën të jashtëligjshme.

“Mendojmë se në këtë çështje veç ka përfunduar hetimi sepse kemi të bëjmë me një aktakuzë të ngritur pas afatit ligjor. Ligji ka përcaktuar afatin e hetimit prej dy vjetëve dhe ligji është shumë i qartë, që nëse brenda dy vjetëve prokurori nuk ngre akuzë, atëherë hetimi është i pushuar. Do të thotë se në këtë rast kemi të bëjmë me një aktakuzë të paligjshme,” tha Rukiqi.

Edhe avokati tjetër Sevdali Zejnullahu vërejti mangësi në aktin e prokurorisë.

“Konsiderojmë se kjo aktakuzë përmban të meta si në aspektin e ligjit penal ashtu edhe në atë të procedurës penale. I mbrojturi im akuzohet përveç detyrimit edhe për krim të organizuar, ndërsa në bazë të ligjit penal është e përcaktuar pragu ligjor që duhet të ekzistojë te vepra bazë që në rastin konkret nuk është plotësuar,” tha Zejnullahu.

Mbrojtja duhet që deri më datën 9 dhjetor t’i paraqesë në formë të shkruar kundërshtimet e saj dhe kërkesat për hedhje të aktakuzës.

KALLXO.com e ndoqi edhe më parë këtë proces gjyqësor.