Foto: Kallxo.com

Mblidhet SBAShK për të vendosur për grevën

Këshilli Drejtues i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës (SBAShK) është duke diskutuar rreth ofertës së mbrëmshme të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për arsimtarët, në këmbim të përfundimit të grevës së përgjithshme në të cilën arsimtarët kanë hyrë që nga e hëna e kaluar.

Kryetari i SBAShK, Rrahman Jasharaj, duke folur para anëtarëve të Këshillit Drejtues të Sindikatës, tha se oferta e kryeministrit nuk është “as afër” kërkesave të parashtruara nga SBAShK.

Ai tha se edhe sot është takuar me kryeministrin Haradinaj.

“Takimi i mbrëmshëm doli me një ofertë e cila është përkrahur nga komisioni për administratë publike dhe ka ofru një ofertë të cilën i kemi thënë që është e pamjaftueshme as nuk është afër kërkesës sonë legjitime. Kemi kërkuar që koeficienti të jetë 30%. Ne nuk po kërkojmë rritje te pagës në mënyrë klasike por po kërkojmë rritje te koeficientit te marrim venin meritor”, tha Jasharaj.

“Oferta e qeverisë nuk i afrohet as 10%. Po ashtu as nuk i pranojmë thirrjet e kryetarëve të komunave që të kthehen në mësim, kjo është në kundërshtim me ligjin për greva”, shtoi ai.

Jasharaj tha se SBAShK e ka mbajtur situatën nën kontroll pas situatës së krijuar mbrëmë kur disa kryetarë të komunave bënë thirrje që të rifillojë mësimi në komunat respektive.