Mbledhja e Qeverisë për MSA-në, UNESCO-n dhe Gjendjen e Sigurisë

Në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar Nisma për Lidhjen e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Kosovës e BE-së.

Kryeministri Isa Mustafa ka njoftuar kabinetin e drejtuar prej tij për nënshkrimin e MSA-së të martën më 27 tetor, bën me dije komunikata e lëshuar nga Kryeministria.

“Do ta nënshkruaj unë në emër të Qeverisë, dhe poashtu do të kërkojmë sot autorizimin nga presidentja e Republikës së Kosovës edhe për ministrin Çollaku që të jetë së bashku me mua në nënshkrimin e marrëveshjes. Nga Bashkimi Evropian do ta nënshkruajnë përfaqësuesja e lartë Mogherini dhe komisioneri Hahn,” sqaroi Mustafa.

Pas protestave jashtë Kuvendit dhe ngjarjeve të djshme brenda tij, para kabinetit qeveritar për gjendjen e sigurisë në vend raportoi ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni.

Hyseni tha se grupacionet politike po mundohen të arrijnë me dhunë qëllimet e tyre.

Fatkeqësisht, nuk mund të thuhet edhe për sa i përket përpjekjeve të ndryshme të grupacioneve të caktuara politike që me mjete dhune të realizojnë synime dhe objektiva të caktuara politike”, tha Hyseni.

Edhe kryeministri Mustafa përgëzoi policinë “për punën shumë profesionale, ligjore, dhe të përkushtuar që ka bërë në mbrojtje të institucioneve të Republikës së Kosovës”.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Hashim Thaçi në mbledhje foli për rekomandimin që Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s i dha samablesë së Përgjithshme të kësaj organizate për ta pranuar Kosovën.

“Me votimin që ka ndodhur gjatë kësaj jave në Paris në Bordin Ekzekutiv, Kosova ka marrë një mbështetje të fuqishme, një mbështetje prej dy të tretave të vendeve prezente në Bordin Ekzekutiv. Natyrisht se tash mbetet edhe një punë më e madhe për Asamblenë e Përgjithshme që do të mbahet më 9 nëntor,” tha Thaçi.

Qeveria aprovoi edhe vendimin dhe propozimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, me qëllim të zgjidhjes së situatës së krijuar në Universitet.

Zgjedhjet do të mbahen deri më 15 shkurt, kur edhe fillon semestri i dytë, në të gjitha nivelet e UP-së.

“Ne e vlerësojmë punën që e ka bërë rektori dhe organet e Universitetit dhe mendojmë se duhet ta ruajmë stabilitetin në Universitet që rektori të vazhdojë punën ashtu siç është vendimi i ministrisë,” tha Mustafa..