Mbi 50 punëtorë të kompanisë së deputetit Kelmendi protestojnë nesër kundër largimit nga puna

Mbi 50 punëtorë të kompanisë “Elkos”, që është pronë e deputetit të LDK-së, Ramiz Kelmendi, kanë paralajmëruar protestë për nesër për shkak të, siç thonë, ndërprerjes së njëanshme dhe të paarsyeshme të kontratave të punës nga menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje.

Protesta do të mbahet në pikën e kompanisë në Zahaq të Pejës.

Esat Demaj, njëri nga punëtorët e larguar, tha për KALLXO.com se nesër do të protestojnë për shkak se janë larguar pa paralajmërim.

“Arsyeja e protestës është shkëputja e kontratës në mënyrë të njëanshme dhe pa paralajmërim nga stafi menaxhues dhe na kompania ‘Elkos Grup’. Kjo ka ndodhur para tri ditëve, saktësisht të martën”, tha Demaj për KALLXO.com.

Ai tregoi se punëtorët e larguar kanë pasur pozita të ndryshme në këtë kompani, ndërsa vetë ishte punëtor sektorist.