FOTO KALLXO: Komisioni per Buxhet, Raporti i KRrPP-se

Mbi 10 mijë kontrata publike janë nënshkruar në 2017-ën

Numri i kontratave të nënshkruara nga ana e institucioneve publike gjatë vitit të kaluar është 10 mijë e 214, apo 200 kontrata më shumë se në vitin paraprak.

Kjo është bërë e ditur sot nga Safet Hoxha, kryetar i  Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik gjatë raportimit para Komisionit Parlamentarë për Buxhet dhe Financa. Raporti Vjetor i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2017 është miratuar nga anëtarët e këtij komisioni.

“Misioni i KRrPP-së është zhvillimi dhe funksionimi i prokurimit publik në Kosovë. Numri i kontratave të nënshkruara në vitin 2017 janë 10 mijë e 214 kontrata publike. Krahasuar me vitin 2016 kemi rritje rreth 200 kontrata. 95 për qind e gjitha procedurave të prokurimit janë zhvilluar në afate normale kohore. Vlera e kontratave të nënshkruara sipas çmimit më të ulët janë 98 për qind. Numri mesatar i ofertuesve është 4.17 që kemi rënie krahasuar me vitin 2016”, ka thënë Hoxha.

Ai ka thënë se vitin e kaluar 81.56 për qind është realizuar buxheti dhe si pas tij ka patur ngecje të realizimit të buxhetit.

Emine Fazliu Zyra Kombëtare e Auditimit, tregoi se për Zyrën Kombëtare të Auditorit ka opinion të pa-modifikuar.

“Opinioni për ZKA është i pa modifikuar. Opinioni është se këto pasqyra paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë. Planifikimi dhe realizimi i buxhetit e ka në nivel jo shumë të kënaqshëm 82 për qind. Kemi suficit të mjeteve pagave dhe mëditjeve rreth 60 mijë”, tha ajo.

Në pyetjen e deputetit Enver Hoti se: A keni gjetur diku që ka penalizim të operatorëve për mos realizim të projektit?

Kryetar i  Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik Safet Hoxha, tha se Kosova në fushën e e- prokurimit është mesatare krahasuar me vendet e tjera të BE-së.

“Ende ofertohet në formë fizike. E kemi lënë si mundësi alternative deri sa ne si shtet t`ju ofrojmë trajnim të veçantë ndërmarrjeve. Rreth 14 mijë është numri i përdoruesve ditor të e-prokurimit”, tha ai.

Ndërsa, Lumir Abdixhiku, kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa kërkoi sqarime se deri në çmasë ndikon e-prokurimi në uljen e korrupsionit.

“Një mendim profesional në çfarë mase e ul korrupsionin e-prokurimi publik?”.

Përgjigjeja e Hoxhës ishte se: “Nuk i realizon pritjet tona në luftën kundër korrupsionit, pra duhen edhe masa të tjera”.