Liqeni i Badovcit

Mbi 10% e Popullatës Jashtë Furnizimit me Ujë

Sipas të dhënave statistikore të ASK-së për ujërat në Kosovë, mbi 10 për qind e popullatës kanë mbetur jashtë furnizimit me ujë.

“Në vitin 2016, rreth 89.59% e popullatës së Kosovës është furnizuar me ujë nëpërmjet sistemeve publike të menaxhuara nga Kompanitë Rajonale të Ujit, ndërsa rreth 10.41% e popullatës nuk ka pasur në dispozicion shërbimet e ujësjellësit”, thuhet në komunikatë.

Sipas ASK-së, në vitin 2016 sasia e furnizimit me ujë për ekonomitë familjare, aktivitetet industriale dhe institucionet ka qenë 62.07 milionë metra kub.

ASK-ja vërejti një rritje të furnizimit me ujë për ekonomitë familjare.

“Furnizimi i ekonomive familjare me ujë të pijshëm ka pësuar ndryshime nga viti në vit, si p.sh. në vitin 2010 ishte 41.88 milionë m³; në vitin 2014, ishte 46.72 milionë m³; ndërsa, në vitin 2016 ka arritur në 52.33 milionë m³”, vazhdon tutje komunikata.

Vërehet një rënie e furnizimit me ujë në bujqësi në 2017-ën në krahasim me vitin 2014.

“Uji i shpenzuar për ujitje me sistem në bujqësi ka pësuar ndryshime të theksuara nga viti në vit. Në vitin 2010 ishte 42 milionë m³, në vitin 2014 ka arritur në 53 milionë m³, kurse në vitin 2017 ka qenë 52.62 milionë m³”, thotë ASK-ja.

Agjencia e Statistikave tregon metrat kub të liqeneve akumuluese të Kosovës. Vëllimi i akumulimeve është 565 milionë metra kub.

Të dhënat nga publikimi tregojnë se sasia më e madhe e ujit të shfrytëzuar në baza ditore dhe vjetore si burim kryesor ka liqenet akumuluese dhe burimet natyrore.