Testi i Maturës 2019 - Foto: KALLXO.com

Mbahet Testi i Maturës në Prizren

Nxënësit e Gjimnazit Gjon Buzuku në Prizren, në test të maturës me uniforma shkollore.

Në shkollat e rajonit të Prizrenit sot është mbajtur faza e parë e Testit të Maturës Shtetërore.

Në shkollën ”Gjon Buzuku”, ndër shkollat më të mëdha të qytetit në testim kanë hyrë 765 maturantë, në 4 qendra testimi, ku 2 nga to janë pikërisht në objektin e shkollës ”Gjon Buzuku”.

Jeronim Susuri, drejtor i kësaj shkolle për KALLXO.com tha se para hyrjes në testim të gjithë nxënësve u janë larguar çantat dhe telefonat, kurse profesorët e shkollës në hyrje të objektit i kanë larguar këto gjësende prej nxënësve, dhe se pas daljes nga testi nxënësit do t’i rimarrin ato.

Ai shtoi se testi ka filluar mirë dhe ka filluar me kohë në ora 10:00, dhe se procesi ka rrjedhur sipas urdhrave të MAShT-it.

Susuri ka ftuar nxënësit që në testin e maturës të paraqiten me uniformat e tyre shkollore, praktikë e pazbatueshme deri tani nga Ministria e Arsimit apo edhe nga Drejtoritë e Arsimit nëpër Komuna.

“Arsyetimi i këtij veprimi është që të respektohet institucioni shkollor dhe se Uniforma e shkollës është pjesë përbërëse e secilit nxënës të shkollës përderisa nuk dëshmohet e kundërta që ai nxënës e ka përfunduar juridikisht shkollimin e mesëm”, sqaroi ai.

Kjo sipas drejtorit është mirëpritur nga nxënësit e kësaj shkolle, dhe është respektuar në tërësi.