Mbahet punëtori për trajtimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ka organizuar sot një punëtori me përfaqësues të institucioneve  përgjegjëse për propozimin e aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme.

Në këtë punëtori u fol për aplikacionin e ri për shpallje të trashëgimisë kulturore  në mbrojtje të përhershme, përmes të cilit përfaqësuesit kanë mundësi të propozojnë asete për shpallje në mbrojtje të përhershme.

Shafi Gashi, kryetar i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore në këtë punëtori ka sqaruar para pjesëmarrësve për procesin e përgatitjes së dosjes së monumentit për mbrojtje të përhershme.

“Pas pranimit të aplikacionit nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, sekretari i KKTK-së do të verifikojë të gjitha materialet dhe dokumentet e prezantuara, nëse çdo gjë është në përputhje me legjislacionin në fuqi”. ka thënë Gashi.

Ai shtoi se në afat prej 15 ditësh, sekretari do të kërkojë nga MKRS plotësimin e dosjes. Dhe pas pranimit të dokumentacionit nga MKRS, sekretari i KKTK-së, fillon vlerësimin në bazë të kompetencave të veta ligjore dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Pjesë e kësaj punëtorie ishte edhe deputetit i Kuvendit të Kosovës Ismajl Kurteshi, i cili tha se kjo punëtori do të ndihmojë shumë për fushën e trashëgimisë  kulturore.

“Kjo formë e komunikimit do të ndihmojë shumë për fushën e cila për ne është nënvlerësuar shumë. Tani gjatë 20 viteve të fundit po i shkatërrojmë objektet dhe monumentet më të vjetra që na kanë mbetur”, u shpreh Kurteshi.

Ai tha se tani e tutje, me angazhimin dhe mbështetjen financiare të institucioneve, duhet të ruajmë dhe të kujdesemi për monumentet që kanë mbetur.

Asete të trashëgimisë kulturore të përcaktuara në Ligjin për Trashëgimi Kulturore përfshijnë monumente, lokalitete arkeologjike, vendbanimet, rezervatet arkeologjike.