Mbahen takimet e koreve të shkollave të Prishtinës

Qendra Kulturore e Fëmijëve në Prishtinë ka organizuar sot manifestimin “Takimet e Koreve” me fëmijë të shkollave fillore të Komunës së Prishtinës.

Ky takim është organizuar për nder të Ditës së Çlirimit të Prishtinës dhe mbahet për herë të tretë në bashkëpunim edhe me Komunën e Prishtinës.

Mbajtja e këtij takimi për organizatorë është konsideruar si mjaft i frytshëm për fëmijët të cilët në shkollë nuk e praktikojnë këndimin koral.

Drita Rudi, drejtoresha e Qendrës Kulturore të Fëmijëve, ka thënë në fillim të takimeve se ky aktivitet duhet të bëhet tradicional meqë, sipas saj, shumë prej pjesëmarrësve të kësaj gare kanë përfaqësuar Kosovën në gara të tilla ndërkombëtare.

Rudi ka çmuar kontributin e mësuesve për formimin dhe nxitjen e nxënësve për këndimin koral, pavarësisht se në sistemin arsimor kosovar këndimi koral nuk është i përfshirë.

“Kujtojmë se në botën e muzikës, këndimi koral, si aktivitet amator, konsiderohet si bazë e sigurt e  zhvillimit të muzikës profesionale”, ka thënë drejtoresha Rudi.