Maxhuni: Kuvendi Nuk Është Sulmuar me ‘Zola’

Pavarësisht sulmit me një mjet shpërthyes ndaj Kuvendit të Kosovës të enjten rreth orës 23:00 dhe të shtënave me armë në kuadër të “Beerfest” më 29 korrik, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, gjendjen në vend e ka cilësuar të qetë dhe stabile.

Këtë vlerësim Maxhuni e ka bërë para Komisionit parlamentar për Siguri.

Shpend Maxhuni sulmin ndaj Kuvendit e ka cilësuar “serioz”. “Në bashkëpunim me Prokurorinë e kemi cilësuar se ky mund të jetë një sulm terrorist”, tha ai, duke shtuar se Policia e Kosovës është duke punuar 24 orë në lidhje me këtë rast.

“Ne kemi intervistuar disa persona në lidhje me këtë rast”, theksoi Maxhuni, i cili u pyet rreth këtij rasti nga anëtarët e Komisionit, Fadil Demaku, Zafir Berisha, Rexhep Selimi e Anton Quni.

“Niveli i sigurisë është në pikën zero”, ka thënë Zafir Berisha duke përmendur sulmin ndaj tempullit të demokracisë. “Slogani: Hetimet vazhdojnë, tashmë është bërë demode”, tha ai.

Ndërsa, Anton Quni tha se kanë kaluar 5 ditë dhe ende nuk ka asnjë informacion në lidhje me sulmin ndaj Kuvendit.

“Nëse Kuvendit është sulmuar me “Zola”, atëherë duhet ditur faktin se kjo armë është më fuqishme se çfarëdo arme tjetër që ka Policia dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës. E kjo i bie se ka formacione në Kosovë që janë më të fuqishme se vet institucionet e sigurisë”, theksoi Quni.

“Nëse Policia e Kosovës nuk arrin me i gjetë këta persona, atëherë kjo do t’i rritë mundësitë që edhe formacionet e tjera terroriste e kriminale të bëjnë veprime të tilla”, tërhoqi vërejtjen Anton Quni.

Lidhur me çështjen e llojit të armës, drejtori i Policisë tha se nuk bëhet fjalë për “Zola”. “Ka pasë spekulime. Për shkak te hetimeve nuk po e tregoj llojin e armës”, theksoi Shpend Maxhuni.

Ndërsa, Rexhep Selimi ngriti çështjen e të shtënave me armë në kuadër të “Beerfest”, si rezultat i të cilave është ndaluar edhe festivali. “Për opinionin nuk është bërë e ditur as autori e as motivi”, tha ai.

Rreth këtij rasti, drejtori i përgjithshëm i Policisë tha aty ka pasur shkrepje me armë gazi dhe se ende nuk ka të dyshuar për këtë rast.

“Uni i siguroj qytetarët se nuk ka vend për panik as pas rastit në “Beerfest” e as këtij të fundit në sulmin ndaj Kuvendit”, tha Shpend Maxhuni.

Gjatë raportimit të tij para Komisionit, Maxhuni theksoi se Policia ka shënuar suksese në lufën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe kundër narkotikëve.

Sipas tij, Policia ka shënuar suksese edhe në krimet e përgjithshme por edhe kundër krimeve ekonomike.

“Ne kemi arritur t’i parandalojmë sulmet terroriste, të cilat po i shohim në vende të tjera”, tha ai.

Në këtë seancë pyetje-përgjigjesh, deputetja Ganimete Musliu është interesuar të dijë për sigurinë në trafik.