Matoshi: Zotohemi se do të investojmë edhe 3.5 milion euro për menaxhimin e mbeturinave

Reth tre milion janë paraparë të ndahen nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinorë për menaxhimin e mbeturinave në komunat e Kosovës.

Kështu ka premtuar sot ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Fatmir Matoshi, i cili së bashku me kryetari e Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahirin kanë marrë pjesë në aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”.

“Ne si Ministri kemi nënshkruar një marrëveshje me GIZ-in andaj zotohemi që do t’i investojmë edhe 3. 5 milion euro të tjera në menaxhimin e mbeturinave, kryesisht për komunat e Kosovës që do të jenë grante për ta”, ka thënë Matoshi.

Kryetari dhe ministri së bashku me aktivistët dhe qytetarë, kanë filluar aksionin në njërën nga deponitë më të mëdha ilegale, tek varrezat e vjetra në Vushtrri.

Matoshi tutje ka treguar se po konsolidohet një grant prej 20 milion euro për menaxhimin e mbeturinave në gjithë komunat e Kosovës.

Ndërsa kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri tha se komuna që ai drejton ka bërë një sërë reformash për sa i takon menaxhimit të mbeturinave.

“Sot jemi në një aksion të përbashkët për të dhënë edhe një vetëdijesim dhe shtytje më të madhe mbrojtjes së ambientit”, tha Tahiri.

Luan Hasanaj nga organizata “Let’s do it Kosova”, në këtë aksion të pastrimit ka thënë se aksioneve për pastrimin e vendit po i bashkohen të gjithë akterët e vendit.

“Është kënaqësi të jemi në një organizim të tillë ku jemi bërë të gjithë bashkë, në radhë të parë për të përçuar një mesazh se Kosova po pastrohet dhe për këtë po angazhohemi akter të ndryshëm”, deklaroi Hasanaj.

Aksioni për pastrimin e vendit ka filluar më 15 shtator për të përfunduar më 15 dhjetor 2018.