Mashtruesit i Vënë Syrin Shpërblimit për Gjetjen e Boshnjakëve të Zhdukur

Mensud Omeroviq, sekretari i këshillit Vogosca, tha për BIRN se shpërblimi prej 10,000 markash boshnjake (5,100 euro) ka qenë në ofertë për më shumë se një dekadë, por deri më tani askush nuk ka dalë me ndonjë informacion që do të ndihmonte për lokalizimin e personave që u zhdukën gjatë kohës së luftës.

“Sipas një vendimi të marrë rreth 10 vjet më parë, ne do të paguajmë për çdo informacion që çon në gjetjen e personave të zhdukur, por ne nuk kemi marrë kurrë ndonjë informacion të vlefshëm që do të çonte në zbulimin e personave të zhdukur,” tha Omeroviq.

Ema Cekiq, presidentja e shoqatës Familjet e Personave të Zhdukur nga Komuna e Vogoscës, tha se asaj shpesh i janë dhënë informacione të rreme mbi vendndodhjen e varreve të luftës.

“Njerëz të ndryshëm me kanë çuar në disa vende, duke thënë se varret ishin atje, por s’ka pasur asgjë. Ata donin të merrnin paratë,” tha Cekiq për BIRN.

“Paratë do t’i jepen një personi që tregon se ku është varri, por vetëm pasi të jenë gjetur trupat dhe të jetë përcaktuar se ato janë të personave të zhdukur që ne po kërkojmë,” shtoi ajo.

Ajo tha gjithashtu se këtë vit ka kaluar dy muaj duke hetuar informacione që rezultuan të rreme.

“Fatkeqësisht, ata na përdorën neve të gjallët, por edhe të vdekurit,” tha ajo.

Cekiq tha se asaj i ishte kërkuar që t’i dërgonte paraprakisht paratë, nëse donte të dinte se ku ndodheshin varret e dyshuara, por ajo refuzoi ta bënte këtë.

Ajo shpjegoi se po kërkon 62 persona të zhdukur nga zona e Vogoscës, përfshirë 29 persona që ishin marrë nga kampi i burgimit Planjina Kuca në Semizovac në vitin 1992.

“Nuk kemi dëgjuar kurrë për ta. Nuk e di nëse do të marrim vesh ndonjëherë ndonjë gjë. Me kalimin e kohës, mundësitë sa vijnë e zvogëlohen,” tha ajo.