Ministri Arsim Bajrami në mesin e mësimdhënësve më të dalluar sivjet - Foto: MASHT

MAShT u Ndan Mirënjohje Mësimdhënësve të Dalluar

Për nder të 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) në një ceremoni ka ndarë çmimin tradicional “Shaban Jashari” dhe mirënjohje për mësimdhënës të dalluar nga secila komunë e Kosovës.

Çmimi “Shaban Jashari” iu nda Beqë Mehë Tahirajt, arsimtar i matematikës në Shkollën e Mesme Teknike “Tafil Kasumaj” në Deçan.

“Çmimi për mua ishte një befasi e këndshme, pasi që në Kosovë ka shumë mësimdhënës të mirë dhe vetë emri i çmimit simbolizon sakrificën, i tillë ishte edhe mësuesi ynë Shaban Jashari, në vazhdimësi, sakrificë edhe me çmimin e jetës, sakrificë për të shpërndarë edhe rreze drite, me shpërnda te nxënësi dëshirë për liri kjo është mbi të gjitha”, u shpreh mësimdhënësi Tahiraj.

Ndërsa, ministri Arsim Bajrami tha se kjo festë po lidhet edhe me Epopenë e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe jo rastësisht kjo Ministri ka vite që ka themeluar çmimin e mësuesit me emrin e heroit “Shaban Jashari”.

Ministri Bajrami tha se mësimdhënësit janë personat kryesorë prej të cilëve do të varet e ardhmja e të rinjve tanë.

“Ne po i bashkëngjitemi krejt Epopesë së UCK-së me ditën e mësuesit për të falënderuar të gjithë mësimdhënësit e Republikës së Kosovës për rolin e tyre historik, për faktin se mësimdhënësit nuk u dorëzuan asnjëherë në sfidat në të cilat u ndodh vendi ynë, por kanë rezistuar dhe janë heronj të vërtet të kohërave të cilat jetuan dhe ata janë sot patriotët modelë, sepse edukojnë të rinjtë tanë me frymën e atdhedashurisë, në frymën e një arsimi cilësor dhe një edukimi cilësor”, tha Bajrami.

Po ashtu, ministri theksoi se MAShT ka bashkëpunuar me Drejtoritë komunale për të bërë përzgjedhjen e mësimdhënësit më të mirë dhe ky ka qenë një bashkëpunim për t’i stimuluar mësimdhënësit tanë që ata të promovojnë mësimdhënie moderne, që të tregojnë që ne mund të ndërtojmë një arsim dhe edukim cilësor.

Redaktoi: Naser Sertolli