MASHT

MAShT: S’jemi tërhequr nga qëndrimi për zëvendësimin e orëve

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë ka sqaruar se qëndron prapa mendimit për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës.

“MASHT sqaron se në asnjë rast nuk është deklaruar dhe as marrë vendim për tërheqje nga qëndrimi për zëvendësim të orëve”, thuhet në njoftimin e sotëm të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Sipas tyre, ky njoftim po bëhet me qëllim të informimit të drejtë të Drejtorive Komunale Arsimore, drejtorëve të shkollave, mësimdhënësve, nxënësve dhe opinionit publik.

“MAShT konfirmon edhe njëherë se jemi të gatshëm të rishikojmë dhe analizojmë të gjitha mundësitë për të gjetur një formulë të re të zëvendësimit të orëve të humbura gjatë grevës dhe të tërheqim formulën aktuale të kompensimit të orëve.”, është thënë në njoftim.

Në takimin e djeshëm(03 prill) të Komisionit Parlamentar për Arsim, sipas njoftimit nga MAShT-i, thuhet se ministri Shyqiri Bytyqi kishte deklaruar se jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me SBASHK-un dhe të gjithë akterët e tjerë, për të gjetur një zgjidhje sa më të mirë për kompensimin e orëve.

Tutje është thënë se MAShT-i ka plotësuar kërkesën e SBASHK-ut, për tërheqje nga formula aktuale e paraparë me vendimin për kompensim të orëve.

“Aktualisht,  jemi duke pritur që SBASHK të diskutojë në Këshillin Drejtues për opsionet për të zgjidhur situatën e krijuar në procesin e zëvendësimit të orëve sipas konkluzioneve të dakorduara në mes të Komisionit Parlamentar, MASHT-it, SBASHK-ut dhe Këshillit të Prindërve.”, është thënë më tej.

Në anën tjetër, SBAShk kishte dalë me ofertë që kërkonte plotësim-ndryshimin e Ligjit për Paga, në mënyrë që pagat e mësimdhënësve të ciklit të ulët dhe fillor, të jenë të barabarta në mënyrë që të zëvendësohet vetëm një javë mësimore.

Dje u mblodh Komisioni Parlamentar për Arsim, ku përmes një takimi të mbyllur për media diskutuan bashkë me SBAShK-un, MAShT-in dhe Këshillin e Prindërve, rreth mosmarrëveshjeve për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës tri javëshe të SBAShK-ut.

Pas takimit u deklarua se ishte vendosur që të plotësohen kërkesat e SBASHK-ut për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Paga, në mënyrë që pagat e mësimdhënësve të ciklit të ulët dhe fillor, të jenë të barabarta.

Si dhe kryetari i këtij komisioni, Ismajl Kurteshi deklaroi se ministri Bytyqi ka vendosur të tërheq vendimin aktual për zëvendësimin e orëve.

MASHT në Facebook

https://kallxo.com/plotesimi-i-kushteve-te-sbashk-ut-hap-rrugen-per-kompensimin-e-oreve-te-humbura/

https://kallxo.com/masht-presim-qe-sbashk-u-ti-kompensoje-oret-e-humbura/