Nga testi i maturës | Foto: KALLXO.com

MAShT shpjegon ndryshimet në Testin e Maturës

Testi i Maturës Shtetërore që pritet të mbahet me datën 5 qershor dhe të përfundojë me datën 22 qershor, këtë vit pritet të ketë ca ndryshime.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Maturës, Fehmi Hysenaj tha për KALLXO.com se nxënësit këtë vit në test do të kenë vetëm katër lëndë ndërsa një prej tyre do të jetë zgjedhore.

“Testi i cili pritet të mbahet nga data 5 qershor deri më datën 8 dhe pjesa e dytë nga data 19 qershor deri në 22 qershor, do t’i nënshtrohen rreth 27 mijë maturantë, por nuk mund t’i përjashtojmë as ata të cilët nuk e kanë kaluar deri më tani, por 27 mijë janë paraparë. Ndryshimet në krahasim me vitin e kaluar janë kryesisht në numrin e lëndëve, këtë vit do të jenë vetëm katër lëndë, tri janë lëndë obligative sipas ligjit dhe një është lëndë zgjedhore, ku nxënësit do ta zgjedhin vetë personalisht nga 12 lëndë të tjera të mundshme”, tha Hysenaj.

Ai po ashtu tha se edhe këtë vit testi do të jetë i ndarë në regjione sikurse vitin e kaluar, por sipas tij ndarja e regjioneve do të bëhet vetëm dy ditë para testimit.

“Testi i Maturës edhe këtë vit do të bëhet përmes regjioneve dhe tërheqja e regjioneve se kur do ta mbajnë testin, do të jetë me 3 qershor në mënyrë që të mos ketë mundësi të manipulimeve edhe pse nuk ka pasur,  por për hir të asaj që të mos e dinë regjionet më herët, tërheqja do të jetë publike para mediave dhe secili do ta marrë vesh se në cilën ditë”, tha kryetari i Komisionit Shtetëror të Maturës.

Hysenaj thotë për KALLXO.com se përgatitjet kanë filluar dhe se presin rezultate më të mira sesa në vitin e kaluar.

“Të gjitha përgatitjet kanë filluar, kemi edhe ekspertë po ashtu edhe një kompani binjakëzuese nga Holanda, e cila përmes projektit të Bankës Botërore po punon me ne dhe jemi optimist që kësaj radhe edhe cilësia do të jetë më e mirë edhe pyetje do të ketë pak më tepër në mënyrë që të matjet të jenë më cilësore”, tha ai duke shtuar se edhe vëzhguesit do të jenë më të kujdesshëm.

“Për çështje të administrimit, kësaj radhe pritet të jetë më i mirë sepse do të ketë trajnime shtesë për ta dhe do të jenë masat më të ashpra. Tek administrimi kësaj radhe kemi menduar që ta na vijnë direkt nga drejtorët e shkollave, sepse ata e dinë më mirë se cilët mësues i kanë më rigoroz, pastaj do të kemi tipe të vëzhgimit edhe nga ne edhe nga organizatat e ndryshme”, tha Hysenaj për KALLXO.com.

Ai shtoi se edhe këtë vit në një klasë gjatë testimit do të jenë 15 nxënës dhe rregullat për përdorimin e telefonit do të jenë të njëjta, ku as nxënësve as administratorëve nuk do t’u lejohen.

Ndërsa, ditë më parë ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka marrë vendim për caktimin e datave të mbajtjes së provimit të Maturës Shtetërore për afatin e qershorit.

Sipas këtij vendimi, pjesa e parë e Maturës Shtetërore do të mbahet nga data 5 deri më 8 qershor 2019, ndërsa pjesa e dytë nga data 19 deri më 22 qershor 2019.

Publikohen datat e mbajtjes së provimit të Maturës Shtetërore

Kurse,  vitin e kaluar kalueshmëria e Testit të Maturës ishte 73.3 për qind, duke shënuar kështu rënie me rreth 10 për qind krahasuar me vitin 2017, ku këtë test e kishin kaluar 83.5 për qind të nxënësve.

Nga procesi i Testit të Maturës 2018, për shkak të shkeljeve ishte anuluar testi për 87 nxënës, ndërsa për shkak të shkeljeve të vendimeve të MASHT-it, nga procesi i administrimi ishin larguar 8 administratorë.

MASHT publikon rezultatet e Testit të Maturës

 

11 Mars 2019 - 11:41

Arbisa Shefkiu 11/03/2019 - 11:41
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend