MASHT publikon rezultatet e Testit të Maturës

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi në një konferencë për media tha se rezultatet e testit të maturës për vitin 2018 janë reale.

Ministri Bytyqi tha se në bazë të rezultateve që kanë ardhur nga komisioni, kalueshmëria e pjesës së parë të testit të maturës është 73.3 %.

Bytyqi tha se e konsideron si sukses mënyrën e mbajtjes së testit.

“Ajo që konsideroj si sukses i mbarëvajtjes së këtij testi për kundër disa problemeve teknike që kanë ndodhur, kësaj radhe është shumë më real dhe ka sjellë rezultatet reale”, u shpreh Bytyqi.

Ministri në këtë konferencë për media ka njoftuar se për shkak të shkeljeve që janë konstatuar gjatë mbajtjes së testit janë anuluar testet e 87 nxënësve në pjesën e parë.

“Nxënësve të cilëve i është anuluar testi nuk i kanë rezultatet pasi janë përjashtuar nga procesi i testimit. Nga procesi i testimit janë larguar edhe tetë administratorë të cilët kanë bërë shkelje gjatë mbajtjes së testit të maturës”, tha Ministri.

Ai foli edhe për pritshmëritë e Ministrisë për rezultatet e këtij testi.

“Nuk kemi pritur më shumë sepse kemi qenë të vetëdijshëm se cila ka qenë situata në shkollat tona, ka qenë interesimi ynë që vërtetë të kemi rezultate reale. Metoda të cilën e kemi zgjedhur këtë vit për mbajtjen e testit në katër rajone i ka dhënë rezultatet e veta”, tha Bytyqi.

Në fund të konferencës Bytyqi tha se do të hapet një debat shumë më i gjerë për të testin e maturës, dhe të kërkohen metoda të tjera të mbajtjes  së testit në mënyrë që të  ketë rezultate reale.